Home

Lajme

Islam Lauka – Një projekt-ligj, jo për shaminë, por për plisin e bardhë!

No Comments Lajme Opinion

Këto ditë, në Kosovë po zhvillohet një debat i madh se a duhet të lejohet shamia për nxënëset në shkollat e mesme, apo jo. Km Albin Kurti paskërka zbuluar se mosha e përshtatshme për të vënë vajzat shaminë, na qenkërka 16 vjeç. Se nga e ka nxjerrë ai këtë perfundim nuk dihet, por dihet mirë që, me kushtetutën e Kosovës mosha 18 vjeç konsiderohet si e pjekurise (e drejta e votës). Gjithashtu, dihet që sistemi ynë arsimor njeh uniformën shkollore si të detyrueshme, e cila nuk e përmban shaminë. Po ashtu, dihet që shamia nuk është element i traditës shqiptare. Qeveria e Kosovës paskërka premtuar se, së shpejti, do ta gëzojë xhematin me një projektligj për fetë, i cili do të zgjidhë edhe çështjen e shamisë.
Në gjykimin tim, ky debat është artificial dhe nxitet nga qarqe që nuk ia duan të mirën as Kosovës, as kombit tonë. Shkolla shqiptare nuk ka nevojë për shami. Jemi shtet laik dhe laiciteti garantohet me kushtetutë.
Ne si shqiptarë kemi të tjera simbole, si flamuri kombëtar, plisi i bardhë, etj. Ka disa vite që, bashkë me shoqatën e njohur “Bytyçi” kemi ngritur çështjen e caktimit të një dite kushtuar plisit shqiptar, një festë në rang kombëtar, por as Prishtina, as Tirana nuk e kanë vënë ujët në zjarr për këtë gjë, ndërkohë që plot zell mbulojnë selitë e kryeministrive me ngjyrat e ylberit-simbolit të komunitetit LGBT, ditën e caktuar për ta.
A nuk paska plisi i shqiptarëve të drejtë të ketë një ditë të tijën, siç e ka një të tillë komuniteti i kufizuar, LGBT, apo siç e kanë bimë a kafshë të caktuara?
Para se të merren me shaminë, institucionet tona le të merren me plisin dhe të miratojnë një ditë feste, në të cilën, selitë kryeministrore të Prishtinës dhe Tiranës të ndriçohen me dritën e bardhë, dritën e bekuar të Perëndisë që është edhe ngjyra e simbolit tonë kombëtar- plisit.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *