Home

Lajme

SENSIBILIZMI DHE ARTI NË FAQET E NJË ROMANI

No Comments Argëtim Letersi

SPITO XHAVARRA PËR ROMANIN E RESHAT SAHITAJ
BOTUAR NE “KOSOVA SOT” e diel, 30 gusht 2009
SENSIBILIZMI DHE ARTI NË FAQET E NJË ROMANI
Është realitet që letërsinë bashkëkohore kosovare, për fat të keq, nuk e njohim sa duhet, për të mos thënë e njohim fare pak, ose aspak. Dhe të jetosh vetëm me nostalgjinë e Qoses, Podrimjes, Shkrelit, Mehmetit e mjaft të tjerëve të brezit të tyre, pa njohur shpërthimin krijues të pasluftës, letërsinë e çliruar nga çenzura e pushtuesit, është me të vërtetë mëkat. Nuk mundesh kursesi të krijosh një tablo të plotë për këtë letërsi duke lexuar ndonjë krijues të shkëputur në rubrikat e “Fjalës së lirë”, ndonjë gazetë, revistë letrare, apo gazeta të ndryshme, kur as antologji përmbledhëse nuk të bien në dorë e as buletine informative për botimet që hidhen në treg. E, para këtyre, kur nuk njihesh me librat, të cilët për të ardhur në Greqi, siç duket, duhet të marrin viza shengen, si njerëzit.
Në këto pak radhë do të dëshiroja të hidhja disa shënime për njërin nga togu i librave që më ka rënë në dorë dhe që më ka bërë përshtypje të veçantë, për romanin “7 minutat e fundit” të R.Sahitajt.
Është një vepër e shtrirë nga koha nën pushtimin sërb, tek e luftës në Kosovë e deri në ditët e sotme, që përpiqet të japë një tablo reale të shoqërisë civile dhe të luftës së njerëzve të thjeshtë për të mbijetuar. Një tablo tronditëse, përtej fasadave shumëngjyrëshe e reklamave maramendëse për integrim në Evropë, për prosperitet, për liri të qytetarit, etj.
U bë një luftë për jetë a vdekje e UÇK – së dhe e gjithë popullit kosovar për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga kthetrat e pushtuesit sërb, por në realitet si u organizua , si u bë dhe kush përfitoi nga kjo luftë? Dhe sot në Kosovën e Pavarur si trajtohen invalidët e kësaj lufte, ç’bëhet me të shpërngulurit, për gjetjen e të zhdukurve, ç’ndihmë u jepet familjeve që dhanë bij e bija për këtë liri dhe me ç’asistencë trajtohen fëmijët e mbetur pa prindër, jetimë? Reshat Sahitaj evokon, reagon, denoncon.
Fitorja e lirisë për kosovarët dhe shqiptarët kudo në botë ishte madhështore, fundi i një brenge disa shekullore, por përtej ceremonive, cila është gjëndja, cili është realiteti, mos o Zot kjo fitore është shndrruar në ndrrim padronësh? Shumë të punësuar nga pushteti vendor e deri në ministritë qëndrore e shfrytëzojnë detyrën për t’u pasuruar sa më parë vetë, për të punësuar e rregulluar andej këndej fisin e tyre, duke u zhytur kështu në një korrupsion të gjerë e duke e ndryshuar gjëndjen personale ekonomike fare dukshëm nga populli i varfër dhe çuditërisht në një kohë kaq të shkurtër. Asnjëri prej tyre nuk i kthen sytë nga të dëmtuarit dhe të gjymtuarit nga lufta, askush nuk i bëri qoftë edhe një vizitë homazh nënë Pashke Markut, duke e lënë në zhgënjim të plotë të vetëflijohet pranë fëmijëve të saj të rënë në luftë.
Autori është plotësisht i besueshëm në faktet që paraqet, në analizat që bën dhe në konkluzionet që tërheq. Ai për mjaft kohë ka punuar në Komitetin Kombëtar të të Drejtave të Njeriut, në Byronë Informative të R.Kosovës, ka dhënë kontribut të çmuar në miratimin e gjithë rezolutave të Parlamentit Evropian për Kosovën dhe ndërmjetësi i gjithë kontakteve të para diplomatike të personaliteteve kosovare me Parlamentin Evropian e NATO – n si dhe organizatori i konferencës së shtypit të UÇK – së në lokalet e OKB – së në Gjenevë në vitin 1998.
E gjithë ngjarja e romanit, e përshkruar thjeshtë, por e fokusuar thellë në një konflikt mjeshtëror që të mban në të dy drejtimet në një interesim e tension të madh nga faqja e parë në të fundit, pra, mbështetet në një sëmundje akoma të pashërueshme të popullit shqiptar, edhe tani në kohët moderne, atë të vrasjes për hiçgjë me njeri tjetrin. Iliri dhe Besniku kanë qënë shokë të ngushtë, por kjo nuk e pengon Besnikun që pasi merr post të rëndësishëm në pushtet dhe pasurohet brënda disa muajsh, ta torturojë dhe ta vrasë në mënyrë makabre ish shokun e tij, vetëm e vetëm për disa xhelozi të kohës së adoleshencës apo të rinisë së tyre. Dhe ky rast nuk është i vetëm, sensacional, fatkeqësisht ky është fenomen, një sëmundje, s’ka rëndësi ku është më shumë e ku më pak, këtej kufijve apo matanë tyre. Shifrat që përmënd Reshati janë tepër tronditëse, tepër skandaloze dhe ai s’i thekson ato për sensacion. Me një guxim të madh krijues, e para tij me një guxim shëmbullor qytetar, ai shtron pyetjen kupolë “…o njerëz, ku po shkojmë kështu?…” dhe në të njëjtën kohë jep mesazhin e madh të pajtimit, të faljes dhe të shërimit të kësaj sëmundjejeje me efekt shkatërrues. Dhe ne shqiptarët me veti e karakteristika gati të papërsëritshme në të tjerë si besa, qëndrimi burrëror para vështirësive, trimëria, etj, patjetër i kemi mundësitë të vetshërohemi, të vetprogresohemi dhe të vetintegrohemi me botën mbarë. Patjetër.
Para disa dekadash kam lexuar romanin “Tradhëtia”, që për kohën ishte i vetmi që jepte tablonë e plotë të luftës N-Çl të popullit kosovar. Qysh atëhere këtë libër e mbaj pranë si një thesar. Nuk mund të harroj figurën e komandant Arben Preshevës, gjithmonë mes dy zjarresh, me armikun përballë dhe tradhëtarët pas shpine.Pak a shumë e ngjashme me luftën e Skënderbeut, me turqit përballë dhe pas me nipin e tij, Hamzanë, gjeneral Moisiun,…
Nuk mundem dhe as që dua të pajtohem me logjikën, gjithsesi të mangët, që i lidh gjërat me origjinën, me genin. Dhe as të të pajtohem me ekzistencën e njollave të zeza në realitetin e popullit kosovar, shqiptar, apo të çdo populli që patjetër çdonjëri ka në mes vetes. Mbi të gjitha jam fanatik në besimin: shqiptar baras besë.
Por,…shqetësimi qytetar i Reshatit s’më lë. Unë jetoj dhe pajtohem me të. Ashtu si atij edhe mua korrupsioni më duket një formë moderne tradhëtie, moskushtimi i vëmëndjes ndaj të vobektëve, të papunëve, të pamundurve për punë, të cilëve u ke premtuar për të marrë votën dhe që ata me ndershmëri ta dhanë, duket si e padukshme, por është tradhëti. Për të përcaktuar moralin e një shoqërie sot nuk ka pse të rendësh pas përgjithësueses, apo siç jemi mësuar ta themi, pas tipikes. Do të mjaftonte edhe vetëm rasti i Pashke Markut për të nënkuptuar monstruozitetin e një realiteti në të cilin jetojmë, opiumin e një shoqërie që hesht sikur s’ka ndodhur asgjë dhe fallsitetin e deklarimeve për angazhim qytetar, integrim, prosperitet, etj si këto.
Zëri Reshat Sahitajt, sot, nuk është zë në humbëtirë. Kosova dhe Kosovarët, gjithë shqiptarët kudo që janë dhe mbarë opinioni botëror çdo ditë e më tepër po sensibilizohet dhe ndërgjegjësohet për luftën që duhet bërë që shteti i ri i Kosovës të marrë fizionominë e plotë të një shteti qytetar dhe për qytetarët e vet, për ata qytetarë që kanë bërë histori dhe kanë derdhur shumë gjak për lirinë dhe të drejtën, pikërisht që kjo liri dhe e drejtë të jetë pronë e plotë e tyre.
Romani “7 minutat e fundit” është një krijim i arirë plotësisht artistikisht dhe në të njëjtën kohë një revoltë me zë të fortë ndaj padrejtësive dhe sëmundjeve infektuese të një shoqërie që përpiqet të zgjohet, të gjejë vetvehten dhe të identifikohet. Brënda shtatë minutave, kur pistoleta e shokut qëndron gati për t’u shkrehur pikërisht mbi shokun e vet, ai krijon një hapsirë të gjërë meditative, që shtrihet nga shtatë dekada gjer në shtatë shekuj, ku pacifizmi dhe arroganca e pushtetarit të infektuar ballafaqohen ashpër në çdo sekondë me pastërtinë dhe virtytin, ballafaqim që të mban në ankth deri në rreshtat e fundit të librit.

Burimi/Facebook/Reshat Sahitaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *