Home

Lajme

Rudina Muharremi Beja – “Këndoni edhe për mua”

No Comments Argëtim Letersi

Stina e plazhit ishte në kulmin e saj dhe pushuesit aviteshin grumbuj-grumbuj për të zënë vend kush të mundej pranë bregut
Shazlonët ishin të rehatshëm dhe rëra ngjante sikur dikush e kishte situr për gjithë natën, ndërsa pulëbardhat rrihnin flatrat në ajër duke klithur kushedi ç’fjalë në rrokje
Ndonëse pamjet ndërthureshin magjishëm përqark dhe rrezja e agimit premtonte një ditë të ngrohtë, asaj i dukej sikur mes kësaj jete të gjallë asgjë s’pipëtinte e mes njerëzve udhëtonte një trishtim i paparë…
U kthye nga vrapi i mëngjesit që si çdo ditë bënte mbi rërën e lagur dhe ashtu disi e lodhur u shtri të lexonte diçka. Ndërkohë përqark ishte mbushur aq shumë me njerëz sa mezi gjeti çadrën nga e cila nëna valëviste një bluzë të bardhë, ndërsa motra e madhe mbërrinte nga krahu tjetër me ca petulla të ngrohta me çokollatë
Hëm, mëkot vrapova unë deri tani, mërmëriti ajo dhe ia krisën të qeshurës të tria njëherësh pa u kujdesur aspak për pushuesit përqark
-Sa të mira, foli nën dhëmbë nga frika se mos e dëgjonte e motra
që sigurisht do turrej të blinte të tjera…
Ishte përhumbur tashmë faqeve të një romani që me personazhet e tij bëhej gjithnjë e më grishës kurse bisedat e tyre nuk e shqetësonin aspak
-Moj, foli e ëma me ton duke i tërhequr instiktivisht peshqirin si për t’i shkëputur vëmendjen
Ngriti sytë dhe vështroi se përqark
secili qëndronte me telefonin celular nëpër duar…Me të qeshte, me të shkëmbente…me të gëzohej e trishtohej…
Më fatlumët, ishin ata që kishin fëmijë të vegjël e ishin të detyruar t’i qëndronin pranë në breg të detit apo brenda në ujë, ndonëse nuk e kuptonin…
Vërejtja e së ëmës e bëri të reflektojë disi. Iu bashkua grupit por gjithsesi, nuk e gjente dot veten kurrkund
Nganjëherë mendonte se po çmendej, nganjëherë mendonte se ndonjë metamorfozë e kishte shndërruar përgjithmonë,
ndoshta emigrimi, ndoshta të qëndruarit shumicën dërrmuese të kohës vetëm sidomos në këto kohë pandemie. Sidoqoftë, bëri çmos që të mos dukej “mospërfillëse” ndaj grupit dhe u përpoq të mposhtë çdo ndjesi…
Bisedat ishin të përzemërta me tematikë familjare dhe herë herë shkëputeshin nga kalimi i shitësve ambulantë që ofronin produkte të ndryshme, të cilëve përpiqej gjithnjë t’i blinte diçka
Ndjeu qerpikët t’i rëndoheshin, kurse
sfondi i zërave dhe ledhatimet e pandërprera të së ëmës e përcollën pa mëdyshje drejt një gjumi të thellë…
Motra i puthi dorën lehtë duke mërmëritur nën zë;

  • Kushedi sa e lodhur është, ta lemë të fle!
    Këto qenë fjalët e fundit që dëgjoi dhe u braktis tërësisht krahëve të ëndrrave.
    Kur u zgjua, s’pa askënd përqark.
    Iu deshën ca çaste për të kuptuar se ku ishte.
    Motra dhe nëna qëndronin të ulura buzë detit nga ku nuk dëgjonin asgjë ndërsa asaj iu duk sikur i zhurmonin veshët
    Nuk mundi të bënte dallimin nëse tingujt e ëmbël që dëgjonte vinin nga larg apo ëndërronte ende…
    Hapi më mirë sytë duke mbytur fundin e një psherëtime të gjatë si të donte të kuptonte më tepër ndërkohë që tingujt afroheshin edhe më shumë
    Mbi rërën e ngrohtë, një grup të rinjsh që në pamje të parë dukeshin të trallisur, avitej me instrumenta muzikorë nëpër duar dhe me një hare të papërshkrueshme mbi fytyrë
    Përpiqeshin në mënyrën e tyre të gëzonin pushuesit por edhe të fitonin kafshatën e përditshme
    Ishin delikatë dhe dinjitozë!
    Nga çadra pranë brofi në këmbë një zonjë rreth të shtatëdhjetave që menjëherë kërkoi aprovimin e zonjës tjetër përballë.
    -Bjeruni more djem, bjeruni mor ju lumtë dora, se m’u dogj shpirti për një këngë
    Bjerunu se dua të gëzoj, të kërcej!
    M’u dogj xhani more, -dhe për një çast lotët iu rrokullisën breshëri mbi lëkurën e bardhë e të brishtë të fytyrës
    Zonja jetonte në emigrim, në Gjermani, të paktën ashtu dukej nga theksi i shqipes që fliste
  • Dua të kërcej, të gëzoj, bjeruni për mua, – fliste ajo duke shpalosur krahët nëpër erë
    Të tre djemtë që këndonin me gjithë shpirt e luanin me instrumentat e tyre të thjeshtë meloditë që i kërkonte zonja së cilës një minut më vonë iu bashkua dhe mikja që deri në atë çast kishte rrëmuar për të gjetur shaminë e mëndafshtë me timina
    Të gjithë ata që në fillim vërejtën me një farë bezdie grupin e muzikantëve tani s’i zinte vendi
    Kërcenin e gëzonin secili në çadrën e tij dhe filmonin duke shpërndarë video të direkta …
    Zonjat përhumbeshin nëpër tinguj që i ndiznin gjakun me flokët përkëdhelur nga një fllad i lehtë duke tundur sa mundnin shamitë
    Rëra ngrihej përpjetë prej lëvizjeve të tyre spontane ndërsa gëzonin këtë spektakël të beftë e të mrekullueshëm
    Disa nga prezentit dhuruan ndonjë bankonotë apo ç’u gjendej këngëtarëve
    U afrua dhe ajo duke i dhënë të gjithë paratë e shkoqura që kishte me vete dhe duke i falenderuar i foli:
    -Këdoni, këndoni ju gëzoftë zemra!
    Zuri vend sërish në çadrën e saj pasi lëmshi i mbledhur në fyt s’e kishte lënë të shtonte tjetër
    Kishte dashur t’u thonte:
    “Këndoni edhe për mua”…
    U larguan për të shpërndarë gëzim nëpër zemrat e të tjerë pushuesve duke marrë me vete tingujt që largoheshin gjithnjë e më shumë
    Pa të ëmën dhe motrën të ktheheshin përdore dhe me fytyra të engjëllta pyetën pothuaj me një gojë:
  • Hë u zgjove? Pushove ndopak? dhe u përkulën për ta puthur sërish
    Sa shumë i kishte munguar zëri i tyre i butë e i njerëzishëm, sa dashuri mbarte gjoksi i tyre!
    Vuri buzën në gaz dhe duke i bërë vend pranë vetes iu përgjigj:
    -Po, po. Madje vajta edhe në dasëm…!

Burimi/Facebook/Autorja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *