Home

Lajme

Robert Shkurti – Spiuni – Fuksi

No Comments Argëtim Letersi

Kohët e fundit në media dhe në rrjetet sociale po flitet shumë për spiunët apo bashkpunëtorët e sigurimit në kohën e komunizmit. Sigurisht, vëmëndja më e madhe është përqëndruar tek politikanët e sotëm, të cilët ishin të rekrutuar nga këto organe dhe që me devotshmëri i shërbenin regjimit. Sot po dalin emrat dhe pseudonimet e tyre, herë herë edhe të çuditshëm, duke mbartur si të tillë emra kafshësh, shpendësh, sendesh, instrumentesh, si psh; llulla, kobra, penicilina, korani, partizani, çiftelia, çibuku, notari, etj. Sot, problemi nuk qëndron te koha e shkuar e tyre që shpëtuan pa u hyrë gjëmb në këmbë, por tek e sotmja. Këta zotërinj prej tre dekadash kanë zabtuar drejtimin e vendit dhe nuk ka zot që t’i shkulë prej aty.
Mendoj se fjala spiun për këdo që dëgjon është e rëndë dhe të lë një shije të hidhur, por në jetën e përditshme, që nga kohët e lashta e deri më sot ata kanë qenë dhe janë midish nesh, duke kryer detyrën që iu kanë caktuar, herë me vullnet dhe herë jo.
Spiuni ose fuksi siç njihet në zhargonin popullor në Shqipëri, është disa llojesh; spiun që merret me spiunazh shtetëror dhe për të cilin kam një admirim të madh, spiun ordiner që merret me spiunime të rëndomta. Ai mund të jetë vullnetar, ose i detyruar nga kushtet dhe rrethanat e jetës.
Në Shqipëri spiuni ka një epitet; fuks dhe në të shumtën e rasteve njehsohet me të. Epitetin fuks e kam dëgjuar që i vogël, por pa ia ditur mirë kuptimin e vërtetë dhe prej nga e kishte prejardhjen. Kuptimin e vërtetë të këtij epiteti e mësova vetëm para disa viteve tek lexoja librin “La spia che cambiò il mondo” – “Spiuni që ndryshoi botën”, i shkrimtarit Mike Rossiter. Personazhi kryesor i librit, ishte spiuni Klaus Fuks. Befasia dhe çudia ime ishte tejet e madhe për këtë fakt të paditur. Më pas për këtë personazh bëra një poezi.
Klaus Fuks ishte gjerman, por kishte marrë dhe shtetësinë angleze. Ishte shkencëtar brilant në fizikë dhe si spiun i dyfishtë i kishte shërbyer tre shteteve. Ai ishte spiun i kalibrit botëror, që i kishte shërbyer një kauze në të cilën besonte. Ai nuk ishte një spiun ordiner ashtu si shumica e politikanëve shqiptarë, që ishin infiltruar nga sigurimi, duke dëmtuar në mënyrë të tmerrshme dhe me pasoja të riparueshme jetën e kolegëve, miqve, shokëve e deri në rastet më ekstreme në spiunimin e njerëzve të familjes ku burri spiunonte gruan, gruaja spiunonte burrin, djali babain dhe anasjelltas. Ky lloj spiunimi ishte i pështirshëm, i neveritshëm, i frikshëm dhe tepër i dëmshëm. Ishte një njeri pa karakter dhe me personalitet të ulët. Spiunimet kryheshin kryesisht nga njerëz që donin të bënin karrierë, nga xhelozia për shokun, mikun apo kolegun më të zot dhe sigurisht duke bërë spiunime të tilla dilte në pah shpirti i keq i personit në fjalë. Ky lloj ishte spiun i lindur dhe kishte në gjak atë punë.
Kishte dhe një lloj tjetër spiuni. Ai që e bënte nga halli, i shtrënguar nga organet e Sigurimit. Ai zgjidhej ndërmjet njerëzve me biografi të keqe, dmth tek ata që nuk e donin pushtetin popullor, që kishin të burgosur në familje apo në rrethin e tyre fisnor. Ky lloj tipi vërtet ishte i shtrënguar nga rrethanat e jetës, por ishte njëlloj i dëmshëm, ndoshta edhe më i dëmshëm se spiuni vullnetar, pasi viktima nuk besonte kurrë që një njeri i prekur në biografi mund ta bënte një veprim të tillë. Edhe tek ky tip dilte në pah karakteri i dobët dhe i ulët i tij.
Megjithatë, jo të gjithë pranonin të bënin poshtërsi të tilla. Di një rast të vërtetë, që një person i piketuar nga organet e Sigurimit, nuk e pranoi këtë lojë të rrezikshme. Në takimin e rekrutimit, pasi u ulën në tavolinë sigurimsi i zgjat një cigare nga paketa “Partizani” personit në në fjalë, duke i thënë që pseudonimi yt nga sot e tutje do të jetë “Partizani”. Sigurimsi mori një “jo” të prerë nga personi në fjalë, i cili ishte dhe me post drejtues në qytetin e Krujës.
Mendoj se spiunimi ka të bëjë me karakterin e njeriut. Më i aftë të bëjë këtë punë është frikacaku, i pabesi, karrieristi, inferiori, i dështuari, ziliqari dhe shpirtkeqi.
Shpeshherë ky njeri ka pasur një fund tragjik. Në mos e ka pësuar nga robi, ka qenë Zoti që e ka dënuar, duke i shkaktuar fatkeqësi të rënda.
Shtator 2022
SPIUNI QË NDRYSHOI BOTËN
(Kushtuar Klaus Fuks, pas leximit të romanit në
italisht “La spia che cambiò il mondo”.)
Mbetem i mekur tek lexoj “Spiuni që ndryshoi botën”
Gjuha më trashet si lëkurë derri
e dhëmbët më mpihen,
sikur të kisha kafshuar të gjithë limonat e bregdetit.
Goja më është qepur me tel gjembaç.
Trurit i janë thyer ingranazhet dhe punon kuturu.
Asnjë orëndreqës nuk e merr përsipër.
Më fal, Klaus Fuks, për injorancën time!
Sa keq më vjen që nuk e paskam ditur më parë,
por më vjen akoma më keq,
që në ishullin e fuksave,
të kanë ulur aq shumë nga piedestali.
Ti ishe simboli i spiunëve ordinerë,
që shpiknin turli ndyrësirash,
për të ushqyer fëmijët e uritur.
me një mijë lekë të vjetra, me njëqind lekë të reja.
Sa turp, Fuks! Sa turp!

  • Kujdes! Ai është fuks!
  • dëgjoja që i vogël pëshpërimat.
    Domethënë “Kujdes! Ai është spiun!” përkthimi.
    Ti ishe njeri i keq, Fuks!
    Ti ishe mishërimi i tij në një vend,
    ku njerëzit me sinonimin tënd ushqenin fëmijët,
    kur natën lihnin dyerve të nxira …
    Sa turp, Fuks!
    Të kemi krahasuar me fundërrinat dhe jashtëqitjen e sistemit.
    Ata ishin të lumtur
    që peshoheshin në të njëjtin kandar me ty.
    Sa turp, Fuks! Sa turp!
    Më fal, Klaus Fuks! Ti ishe Gjeni!
    Ti, ndoshta, spiunove (shpike)
    për një çështje që e mendoje të drejtë, por që u zhgënjeve si gjysma e botës.
    Ti nuk ishe spiun!
    Ti ishe gjenì. Fuks! Gjenì!
    30 mars 2015.

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *