Home

Lajme

Vladimir Duraj – Shqiponjat

No Comments Argëtim Histori

Isa Arapaj
(Është në nderin e Shoqatës së Aviacionit t’i propozojnë Këshillit Bashkiak, Vlorë, akordimin e titullit “Qytetar Nderi” ish komandantit të Akademisë së Aviacionit, z.Isa Arapaj.)
Kam shkruar për shumë aviacionistë, ku pjesën e luanit e zënë pilotët. Kam shkruar për ata të “mitë”, Vasilin, Sokratin, Harrillën, Viktorin e të tjerë; por kam shkruar edhe për “miqtë”, Babaçen, Gëzdarin, Kesin, Shefqetin dhe shumë të tjerë. Po vazhdoj të shkruaj ende dhe për çudi nuk po e has kund fundin…sa të shumtë paskan qënë! Sa e vështirë është renditja e tyre në listën e madhështisë! Dhe e vështirë jo vetëm për mua që kam pasionin për t’i perjetësuar këto shqiponja, por e vështirë edhe për shokët e tyre të punës e të jetës.
Shqiponja e radhës në “duart” e mia quhet Isa Arapaj, një koncetrim vullneti, aftësie dhe karakteri në shkallë sipërore për të arritur atje ku do…në rastin e tjj, lartësitë në qiellin e kaltër. Isai nuk “pushtoj” vetëm qiellin, Ai pushtoj edhe zemrat e kolegëve dhe studentëve të shumtë që kaloj nëpër duar gjatë punës së tij, fitoj nderimin dhe respektin e tyre edhe kur ata u bënë epror të tij. Ja si shprehet Klement Alikaj, ish komandant i Aviacionit Shqiptar :
“- Kur vajta për herë të parë në Shkollën e Aviacionit nuk isha mësuar me jetën ushtarake dhe çdo gjë e shihja me ndrojtje. Të gjithë, deri tek kapteri nuk doja t’i kisha pranë se vetëm bërtisnin dhe bënin një figurë të keqe tek unë. Ndër të paktit njerëz pa fjalë, por që të ngjallte respekt dhe autoritet në atë kohë ishte instruktori i reaktivit, Isa Arapi, pavarsisht se nuk ishte instruktori im. Respekti për atë njeri me ngeli edhe pasi unë u bëra pilot dhe pas shumë vitesh komandant i tij, përsëri e kam admiruar dhe rrespektuar sikur të ishte Ai komandanti im. Këta pilotë si Isai i dhanë shumë Aviacionit në përgatitjen e pilotëve të rinj dhe emrin e mirë të kësaj arme. Duhet të mburremi për këta pilotë dhe shokë si Isai.”
Isai ka lindur më 1 Shtator 1945 në Kajcë të Përmetit. U dallua në fëmijërinë e hershme si djal serioz, fjalëpak, i zhdërvjellët dhe me vullnet për të arritur atë që donte. Kreu filloren në fshat, për të vijuar 7-vjeçaren dhe gjimnazin në Vlorë. Pasi mbaroj gjimnazin Isai shkon në Shkollën e Bashkuar duke plotësuar kështu edhe dëshirën e të atit, oficer. Vetëm 1 muaj dhe Isai me Delo Isufin, Flamur Pupan, Stiljan Tankën, Azis Allën, Dhimitër Vashon, Sabri Toçin, Andrea Dishon, Zia Lutin dhe Dashamir Ohrin shkuan në Vlorë, në Shkollën e sapo krijuar të Aviacionit.
Të sipërpërmendurve iu bashkuan edhe një grup nga shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, në përbërje të të cilit ishin Alqivjadh Dede, Bilal Sina, Luto Sadiku, Bego Hoxha, Petrit Bebeci, Sali Peçi, Lutfi Hyseni, Ethem Aliaj, Refail Bulgareci dhe Skënder Mesiti që së bashku formojnë grupin e parë të pilotëve Made In Albania, të dalë nga shkolla shqiptare e aviacionit.
Në shkollë Isai kishte instruktor Admir Fllagën, komandant katërshe Hamit Ulqinakun, (djalin e Mujos), zv/komandant skuadrilje Refit Jazon dhe komandant skuadrilje Flamur Mickon. Mbaron shkollën në vitin 1966 dhe titullohet Pilot Gjuajtës Bombardues. Emërohet i tillë në Regjimentin e Aviacionit në ish Q.Stalin dhe fillon punë e fluturimet në Nëntor të atij viti në skuadriljen e Sokrat Priftit dhe Allaman Isakut, i pari komandant dhe i dyti zëvendës.
Në fund të vitit 1967 Isai transferohet në Shkollën e Aviacionit, ku përgatitet si Instruktor fluturues. Në atë kohë u eksperimentua metoda kineze, ku instruktori i shoqëronte studentët që nga viti i parë e deri sa mbaronin shkollën. Eksperienca e parë rezultoi sukses për Isan, studentët e tij të parë ishin Ivanov Meta, Dante Dusha, Valter Qerimi dhe Astrit Sala. Nga viti 1972 deri në 1988 Isai ka kryer detyrat e komandantit të katërshes dhe instruktorit sipas nevojës, gjithnji për llogari të shkollës së Aviacionit, por me banim në ish Q.Stalin dhe aktivitet në Regjiment.
Ishte pikërisht kjo periudhë kur unë e njoha Isan. Nuk na lidhte puna e si rrjedhojë edhe njohja ishte në kufijtë e inekzistencës. Them kështu se edhe pa u parë a përshëndetur fare, nuk ishim…qenia në të njëjtë “shtëpi” e justifikon këtë pohim. Gjithsesi unë e njihja Isan, e njihja dhe respektoja intuitivisht, aq sa ka mbetur ende sot, pas rreth 50 vjetësh, në kujtesën time si një gur i rëndë. “Lexohej” kollaj Isai, dukej një “gur” i rëndë kur e shihje të fliste a ecte kokë ulur si ai kalliri plot, dallohej dukshëm mbi të tjerë kur ishte në grup me shokë të tjerë.
Në vitin 1988 Isai emërohet shef i përdorimit luftarak të Aviacionit (pranë Shkollës së Aviacionit) dhe transferohet edhe me banim në Vlorë. Në periudhën 1993-1996 Isa Arapi emërohet komandant i Shkollës së Aviacionit dhe fluturon deri ditën e fundit, kur edhe studenti i fundit plotësoi programin e fluturimeve. Në Shtator 1996, mbas 34 vitesh fluturim dhe “miqësi” me Aviacionin, në moshën 51 vjeçare Isa Arapi del në pension.
Siç them diku më sipër, e perceptoja Isa Arapin si nje aset të çmuar, si njërin prej shqiponjave më në zë, por megjithkëtë paskërkam qënë goxha larg asaj se çështë në të vërtetë Isa Arapaj për Aviacionin dhe aviacionistët. Kërkova opinion për Isan nga disa pesha të rënda të aviacionit, opinion me pak rreshta për t’i përfshirë në këtë shkrim. Por do ti që ata sollën të gjithë “hartime” thuajse kaq të gjatë sa ky shkrim. Dhe në fakt nuk kanë faj, për Isan nuk i thua dot të gjitha kur shkruan gjatë e jo më t’i thuash me të shkruar shkurt. Gjithsesi unë do t’i sjellë të redaktuara përshtypjet e tyre për Isan, ndryshe do më mbaronte “boja” e kompjuterit.
Zaim Kuci, pilot dhe ish këshilltar i presidentit Moisiu, thotë për Isain :
“- Të shkruash për Komandatin, instruktorin Isa Arapaj është emocion, ndjehesh i vlerësuar por dhe i shqeteësuar a do mundesh t’i thuash të gjitha vlerat që e karaktirizojnë këtë ushtarak drejtues dhe pilot model në Forcat e Armatosura. Kam qënë me fat që Komandant Isan e kisha Komandat katërshe kur isha student, për të fluturuar në avionin reaktive MiG 15. Sa shumë fluturime kisha bërë me Të. Ai ishte puntor, i palodhur dhe një instruktor metodist ekselent. Studenti që fluturonte me Të ishte i privilegjuar që në kabinën e dytë ishte ustai i fluturimit. Edhe avioni kishte “frikë” nga Isai, ai ishte një lodër në duart e tij dhe studenti ndjehej i sigurt, i mësuar, i bindur për të fluturuar vetëm. Vitet ikin shpejt dhe unë u emërova zv/Komandat i Akademisë së Aviacionit me Komandat Isa Arapaj.
Mbeta student i tij ,më dukej se ishte gjithmonë në kabinën e dytë të avionit. Kudo ku shkova Isa Arapaj ishte Profesori im i Ajrit. Ai është i veçantë.”
Ndërsa Gim Matraku, ish komandant i Regjimentit të Aviacionit në Kuçovë, thotë:
“Sado shumë të thuash për komandant Isa Arapin, asnjëherë nuk i ke thënë të gjitha. Në shkollën e Aviacionit e kam pas komandant katërsheje dhe instruktor shokun e tij të kursit dhe me të mirin, Delo Isufin. Kam bashkëfluturuar me dhjetëra herë, sidomos fluturimet për kalimet nga një ushtrim në tjetrin…po ashtu dhe dy vjet të tjera në Mig17 në regjimentin e Kuçovës në vitet 73 dhe 75. Metodist i shkëlqyer, i qetë ke zoti me nerva çeliku, fjalë ëmbël, kurrë nuk merzitej, një instruktor perfekt. Nuk abuzonte dhe shkelte instruksion në asnjë rast, i gatshëm ta bënte atë element fluturimi aq herë sa t’a mësojë dhe përvetësoje. Ruaj respektin më të madh për komandant Isain. Edhe sot është i njëjti, i dashur, i respektuar nga të gjithë, ke qejf të rrish me të.”
E ritheksoj, nuk kanë të mbaruar prononcimet vlerësuese për Isa Arapin dhe jo vetëm nga ata që janë mësuar prej tij apo kanë punuar me Të, por edhe nga ata që nuk e kanë pasur këtë kënaqësi….njëri prej tyre është Hamëz Koçi, i cili iu përgjigj si më poshtë kërkesës sime për Isain :
“- Me Isain njihemi shumë mirë ,por nuk e kam patur direkt në punë dhe as në vartësi. Kemi qenë për një kohë bashkë në Regjimentin e ish Q. Stalin. Isa Arapi karakterizohej nga qëndrimi serioz dhe i aftë në përgatitjet për fluturim dhe në fluturim. I dashur dhe me humor të këndshem në shoqëri . U martua me një vajzë shumë të mirë, voleybolliste e dalluar e Q. Stalin, Lumen. U largua shpejtë instruktor në Shkollën e Aviacionit, Vorë ku pati përparim të suksesshem në deryre,deri në Komandant i Shkollës. Mendimi im për Isanë është shumë pozitiv.”
Një tjetër “student” i Isait dhe më pas bashkëpuntor i tij në drejtimin e shkollës së Aviacionit, zv/komandanti për fluturimin, Sandër Bubullima, thotë :
“- Me Isan jam njohur ditën e parë të fillimit të përgatitjes në tokë si student në Qershor të 76-ës. Megjithëse nuk isha në katërshen ku Isai ishte komandant, përshtypja e krijuar ishte befasuese…një paraqitje simpatike, një trup i lidhur burrëror, një e folur me peshë dhe “rracion”, një ball i zgjuar dhe sy shqiponje ishin ato që unë perceptova për të atë ditë. Pas stazhit në skuadriljen e Mig-17 u emërova Instruktor në Shkollë, ku bashkëpunimi me Isan ishte shumë domethënës për mua. Kur Isai u emërua komandant i Shkollës dhe unë zv/komandant për fluturimin pash një tjetër anë pozitive tē tij, trajtimin me dinjitet, respekt e vlerësim të vartësve dhe bashkëpuntorëve më të afërt. Isai udhëhiqte me shembullin personal, kërkonte ndaj vetes, jepte gjithçka për studentët, ishte dashamir ndaj tyre, vlerësonte punën dhe arritjet e tyre. Sa më sipër i shihja në përditshmëri në marrdhëniet tona, ku mua, një ish studet dhe adhurues i tij më trajtonte si të barabartë. Isa Arapi ngelet një ikonë e SH.L.A, mundi, sakrifica, aftësia profesionale, fisnikëria njerëzore e kanë bërë atë njërin prej të pajtëve aviacionistë që e kanë gdhendur emrin e tyre me daltë ari.”
Është edhe dikush që mua më duket se ngjason shumë me Isan në tip, tamam BURRË, fjalëpak e punëshumë, trim e kurajoz, sakrifikues e mirenjohës, Petrit Bebeçi, i cili sikur mezi e priste t’i kërkonin të fliste për Isan. Është ajo karakteristika që unë e kam renditur në fund, Mirënjohja, që e nxit Petritin për një gjë të tillë…sepse, në 75 vjetorin e këtij të fundit, Isai, i sapozbritur nga avioni, merr vesh për këtë gje dhe shkon direkt e në sebep, edhe pse pas disa orësh do tē kthehej përsëri në Itali. Ja ç’thotë Petriti për Isan :
“- Jam njohur me Isan më 15 Gusht 1963. Më ra në sy që fliste rrallë, por dëgjohej shumë nga të gjithë sepse fjala i zinte vend. Ishte përgjegjës grupi gjatë gjithë kohës, ndërkohë që të tjerët edhe ndërroheshin. Me mbarimin e shkollës u ndamë, unë në Rinas dhe Isai në Kuçovë. Në 1995 fati e donte që unë të caktohesha komandant i skuadriljes reaktive të Akademisë. Do isha direkt në kontakt me shokun tim të grupit, Isain, që ishte më i duhuri me eksperiencën e tij të gjatë në përgatitjen e grupeve të tëra pilotësh. Ishte për mua po ai Isa, i dashur, i qetë, që jepte mendime të pakundërshtueshme se ishin gjithmonë të mirë menduara. Pas kalimit të avionëve në aerodromin e Pish Poros filluam fluturimet me studentët. Të parët sips rregullit u takuam dy shokët që ishim ndarë që në vitin 66. Në ajër nuk po flisnim me njëri-tjetrin e Isai filloi një muhabet “vënçe” dhe herë pas here më thoshte të kontrolloja mirë që mos të turpëroheshim tani në “pleqëri”. Kthej kokën mbrapa dhe shoh se ai po bënte një maket avioni me peksiglas. Gjthçka po shkonte shumë mirë edhe me fluturimet me studentët. Isai urdhëronte që pas fluturimeve të shkonim në Jonufër për tu çlodhur të gjithë ashtu siç ishim efektiv teknik dhe pilot. Isai që jepte të drejtën e fluturimeve me MiG-15 arriti të nxirrte sipas rregullave 3 studentë. Por një ditë “të bukur” erdhi urdhri i pezullimit të fluturimeve nga Komanda eprore. Menduam se mos ndoshta kish ndodhur ndonjë ngjarje e veçantë. Por jo, urdhri ish dhënë nga kreu i shtetit se nuk kishte vajguri mjaftueshëm për të vazhduar!!! Gjithçka u ndërpre për gjithnjë. Nuk kish zemërim më të madh në atë periudhë. Më ka mbetur në mendje dita e 75 vjetorit tim ku kisha ftuar ata shok të grupit tim që mblidheshim në Tiranë. Erdhi Bilali , Refailie kir shikoj dhe Delon që po vinte me Isain. Ai sapo kish zbritur në Rinas pasi kish ardhur nga Italia dhe merr vesh për datlindjen time i lë gjitha punët. Edhe pse do kthehej po atë ditë në Itali vjenne më takon e më uron. Për mua ishte dhurata më e mirë nga njeriu më i mirë për të gjithë ne.”
Dhe për ta mbyllur këtë dedikim për fisnikun Isa Arapaj po thërras në ndihmë qershinë mbi tortë, të veçantin Delo Isufi. Shoku i tij i rinisë, i shkollës e në vijmësi, Isain e ka përjetësuar në vargjet e mëposhtëme :
LE TA KTHEJMË NGA NJË GOTË
(kushtuar mikut tim Isa Arapaj)
Ku të kam o miku’ vjetër
Mik i hershëm fëmijërie,
S ’më ka mbetur asgjë tjetër.
Veç një mal dhemshurije.
Të shikoj që ti je plakur,
Por harroj veten time,
Qe rinia më ka flakur,
Dhe kot tokës i bëj hije.
Ku të kam o miku’ vjetër,
Kemi vite që s’jemi parë.
S’me ka mbetur mik tjetër,
Një nga një ikën me radhë.
Moshatarët na kanë ikur,
ca në qiell , ca në tokë,
Drit’ e syve na është fikur,
Le ta gjerbim nga një gotë.
Unë e di që do më thuash,
Në rini ke dash sevdanë,
Por më shaj sa të duash,
Se nuk ka, kush më shanë.
Kur të llafosemi ne të dy,
Do të thonë qënkan dehur,
Fëmijtë do shohin me habi,
Baballarët paskan rrjedhur.
Eja pra o miku i vjetër,
Nga një gotë le ta kthejmë
S’na ka mbetur asgjë tjetër
Veten tonë le ta gënjejmë.
Duket sikur u thanë shumë për Isan më sipër, por Ai është i asaj tipologjie që sado shumë të thuash, asgjë nuk ke thënë…ja psh, nuk është thënë më sipër që Isa Arapaj është një familjar model, bashkëshort brilant me një grua ekselente në krahë, një baba i rrallë me dy yje, vajzë e djalë, që e nderojnë atë, një bir me të cilin krenoheshin prindërit, një gjysh me dy nipër që aspirojnë të bëhen si Ai.
Dhe dicka të fundit. Isa Arapaj është dekoruar de fakto me “Medaljen e Ekselencës” nga aviacionistët si edhe de jure me Medaljen “Ylli i Kuq” i klasit të dytë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në vitin 1988. Atëhere, po sot ? Minimalisht i duhet dhënë titulli “Qytetar Nderi” i Vlorës. Mendoj se shoqatat e aviacionit duhet ta propozoinë një gjë të tillë pranë Këshillit Bashkiak, Vlorë.

Mund të jetë një imazh i 2 persona
Mund të jetë një imazh i 5 persona
Mund të jetë një imazh i 8 persona dhe njerëz në këmbë
Mund të jetë një imazh i 5 persona dhe njerëz në këmbë
Mund të jetë një imazh i 3 persona, njerëz në këmbë, pemë dhe ambiente të jashtme
Mund të jetë një imazh i 2 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të jashtme

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *