Home

Lajme

Miho Gjini – TRE LIBRA ME FABULA NGA YMER NURKA

No Comments Lajme Opinion

Pa e njohur Ymer Nurkën dhe duke pirë kafe në Tiranë me një poete, ajo shprehte entusiazmin e saj pas çdo gllënkë kafeje për vjershat me karakter popullor të Ymer Nurkës dhe me dialogun poetik që ai bënte me Timo Mërkurin nga Piluri. Me “hidhë e pritë” vjersha pafund përmes celularëve të tyre, që atë çast bëheshin edhe pronë e të tjerëve. Si të ishin “gjerdane këngësh shpirti”.Aq fort të bukura saqë harroje jo vetëm kafen që kishe përpara, po edhe andrallat e ditës..
Për të mësuar diçka më tepër për këtë bohem që shkruante edhe vargje poetike pë dashurinë në faqen e tij elektronike, poezi të ëmbëla për vajzat cigane që dridhnin belin në vallzim, për shoqet e rinisë që i shkelnin syrin, për fshataret e veta të reja që mbushnin ujë ndër burime e lanin llërët e gjiret e bardhëllyera, si edhe për ato vështrime epshndjellëse të vallzueseve të gjimnazit, tek i kishte në krahët e tij e u çikte trupin lozonjareve të përvëluara për duar burrash…Ymer Nurka quhej ky, një poet lirik, që na vinte si papritur nëpër faqe celularësh, ekranesh kompjuterike e “tek tuk” ndër cepa gazetash letrare të ralla…”Më pyet ti “ç’është dashuria”?,-shkruan ai në njerin varg dhe përgjigjet në vargun tjetër:”Është pjesa jote e munguar!”. Apo kur thoshte:”Shkrepa pak prush/Më fale një zjarr që më djeg”!
E do ta kërkoja ta njihja edhe unë e ta bëja mik nëpërmjer Aqif Hysës, Rexhep Shahut e Izet Durakut, (njerëz të letrave edhe ata), tek pinim nga një gotë me verë, pas panaireve të librave e pas ndonjë botimi të sejcilit, kur festat e promovimet ishin kaq të pakta e që bëheshin si shpesh, me rekomandimet e ndonjë botuesi, edhe pa i lexuar fare asnjeri ato.Po ja që, ne të katërt i lexonim librat e njëri tjetrit e i festonim veçmas, me lëngun Dionisiak përpara, me diskutime të çiltëra, me sugjerime e kritika të hapëta dhe pa u zemëruar asnjëhere me njëri tjetrin. E në këtë “Rreth Letrar” miqësh do të afronim edhe Ymer Nurkën pe Korçe që jetonte në Durrës e që kishte filluar të na gëzonte me ato krijimet e veta të ndjera, prej djaloshi të dashuruar….Rasti do ta sillte që të bëheshim bashkë të pesë miqtë në Panairin e Librave të Durrësit që e organizoi poeti Aqif Hysa më 2016-ën, i cili do ta linte Italinë ku kishte emigruar e të merej këtu me botime e panaire libri. Dhe pikrisht në këtë panair libri, Ymeri, i pesti, do ta “pagëzonte “ veten edhe si FABULIST me tre libra njëherësh, botuar prej Aqifit në Sh.B.ADONIS,-të themeluar po prej tij e redaktuar nga Rexhepi me Izet Durakun…
Kanë kalur gjashtë vjet qysh atëhere dhe mua tani më erdhi mbarë të shkruaj për to (“Kuvendi i qenve!”, “Marshi i Lukunisë” dhe “Zbori i Zbatharakëve”), ku Ymer Nurka e prezanton veten edhe si lëvrues i fabulës, si gjini e veçantë letrare,-nga të parat fare- që nga kohët e Antikitetit Grek, me EZOPIN e famsham, Babain e fabulës, i cili,-si skllav që ishte- i krijonte vjershat e tij të mënçura nga jeta e bota e kafshëve, për të sfidur veset e padrejtësit e skllavopronarëve, që i kishin zaptuar jetën, me këmbë e duar “të lidhura”, pa kurfar lirie njerëzore. Duke folur për cenet e kafshëve, Ezopi u drejtohej njerëzve, duke krijuar simbolikën më të fuqishme, si një ALARM për shoqërinë e rendin egzistues…Për të mbetur më pastajë si njera prej gjinive letrare që do të kultivohej ndër shekuj, krahas gjinive të tjera të atyre kohrave, sidomos përmes teatrit, filozofisë e pikturave murale. E që do t’i jepte hov e zhvillim poezisë e gjinive të tjera letrare.
Në këto tre libra Ymer Nurka shfaqet si një fabulist, po në atë shtjellim Ezopian në “shigjetimin” e veseve të banorëve të pyllit e të oborrit shtëpiak , për të dalur tek njerëzit që ka përreth vetes, që nga shoku, miku, drejtori, ministri, deputeti e gjer tek Kryetari i Qeverisë a Presidenti i vëndit. Pra, ka nje godije gjithpërfshirëse e të shtrirë në gjithë realitetin shoqëror, nëpërmjet satirës, duke fshikulluar vese e fenomene negative të njeriut, -sikundër janë: grrykësia, babëzia,lakmia, korrupsioni,mëndjemadhësia, hipokrizia, pabesia e tradhëtia, etja për pushtet e despotizmi, hajdutëria , dembelizmi e të tjera si këto, që e deformojn karakterin e njeriut. Kur edhe fabulistët tanë i numëronim me gishtrinjë, si të ishin “specie” të rralla!Sepse nuk ishte e lehtë që të shprehje në pak vargje e strofa poetike esencën e mënçurisë dhe të vetë jetës që ndërlikohej parreshtur e që shpesh herë duhej t’i referoheshe “botës së kafshëve” për të dalur tek njerëzit zëmërak e hakmarrës!Po, në këto libra, autori ka një fat të madh, se ështe bashkautor me Kosta Rakën, piktorin karikaturist të talentuar, që ka ilustruar këto libra, me figuarat e personazheve kafshë e shpendë që ngjasojnë aq shumë me fytyrat e personazheve njerëz. Jo thjeshtë si fizionomi e dyanshme, po edhe me psikologji, veçori, tipare dhe të dhëna si karaktere në lëvizje e në mardhënie. Ky paralelizm i bën librat e Nurkës mjaft të këndshëm për të vegjëlit dhe tërheqës për të gjitha moshat.
Njëherësh: ato lexohen me ëndje, sepse kanë rrjedhshmëri, larmi e variacione ndodhish ,surprizash, ngjarjesh, personazhesh e kontradiktash, që jepen në një jetë të gjallë e dinamike, me pjesëmarrje nga të gjitha llojet e kafshëve të egëra e ato të buta që i kemi nëpër shtëpiat tona, që nga Mbretërit e Pyjeve:Tigri e Luani e deri tek miu i vërave, i kudondodhur. Se :”Po morën pushtet/këta trima/do na bëjnë/një shtet me vrima!”Autori shtjellon fabula të reja , po ka aty edhe perifrazime titujsh e fabulash të njohura që trajtohen krejt ndryshe, me një tjatër vërtëtesi, ide e imazhe . Kështu p.sh Fabula “Histori e Vjetër”, nuk trajtohet si në varjantin klasik (“Korbi dhe Dhelpëra”) , kur Korbin e mashtron Dhelpëra që të flasi dhe ta lëshojë djathin nga goja, po Korbi e kupton tanimë dredhin e saj dhe e tallë dhelpërën , duke i sajuar një dredhi tjetër, me një copë sapuni në gojë, duke i’a lëshur dinakes mu në gojën e saj të shqyer nga lakmia! Se “Ma ka lënë/gjyshi amanet/të mos i besoj/skiles për jetë!”.Një leqendisje edhe më e rafinuar e tallëse. Fabulat e tij kanë origjinalitet, si tek “Kulpra, Lisi dhe Hardhia”, ku ndëshkohet dëshira fatale për të jetuar vetëm e largë të tjerëve, duke u mburur e i përbuzur që të gjithë, gjersa kulpra i ngjitet në trung e ia merr frrymën tërrësisht.Se “Lisi që s’pranoi/hardhinë,/mban pa nder/kulpra mbi shpinë!”. Shpesh ato, fabulat, kanë edhe moralin e tyre konçiz në vargjet e fundit, po jo gjithëheri është kështu, kur autori bën zgjatje e stërhollime që dëmtojnë masën e duhur, konçizitetin e krijojnë shtrirje e spjegime të panevojshme. Kështu p.sh në Fabulën “Greva” jepet bukur greva absurde e gomarëve në shtatë strofat e para, duke përfunduar tek vargu i kërkesës së tyre kryesore:”që shteti të na heqë samarët!” e fabula nuk ka nevojë fare të ketë edhe 40 strofa të tjera me vargje spjeguese e arsyetimesh të tjera….Mandeje, edhe etja për pushtet , si tek Fabula “Epopeja e Leshit”, edhe pse e shkruar në natyrën e poezive satirike, nuk ka nevojë që të ketë një tejzgjatje gjer në 83 strofa(?!). Pa dhënë receta, mund të thuhet se, vet natyra e fabulës nuk e pranon tejzgjatjen, spjegimin e tepërt dhe moralizimin direkt e të përsëritur. Përndryshe ja beh mërzia, lodhja e monotonia. Se të ikën nga dora edhe “kapistalli” e “hajde mbaje kalin që merr revan!”. Aty ku autori paraqet fabulën e shkurtër, edhe morali bëhet më konçiz, më i qartë, edhe leximi më i këndshëm. Edhe përdorimet e të gjitha llojeve të metrikës së vargëzimeve, mund t’ia shtonin ca më tepër larmin këtyre fabulave të lezeçme të Nurkës, sidomos kur i “merë revan kali”, sipas katër rrokshit!..
Në këto libra me vlerë ndjehet fort bukur edhe aludimi me kohën e sotme , aktualiteti shoqëroro-politik, veçanërisht tranzicioni i gjatë dhe i lodhshëm, në një shoqëri pluraliste, me sensibilitete e kërkesa shpesh absurde partish e kontradiktash herë-herë frenuese , me etje partish të vogëla që ngecin në sokakun e tyre dhe mbeten të tlla, të vogëla, në vite e dekada, si edhe me një parlament ku nganjëherë “nuk e merr vesh i pari të dytin”!. Ku, sipas fabulistit,-edhe minjtë duan të kenë partinë e deputetët e tyre, apo ku tigrat e luanët duan, me domosdo, që të jenë gjthëheri në krye të “trapezit”, për jetë të jetëve, si te “Kuvëndi i qenve”, ku përsëri autori shprehet shumë gjatë ,me 56 strofa”…Si në një tablo reale, të gjërë e të pafundme nga “BOTA E PYLLIT”: Kur “Mlidhen qentë/në një katund,/korrupsionit/t’i japin fund/….Me të katra/shkelen ligjet/edhe prapë askush/s’përgjigjet/…Harruan besën/dhe kuvëndin/dhe të gjithë/pas kockës rendin/Për të ziren/çirren, mbyten,/hahen, brehen,/kacafyten!…”.Duke e përfunduar moralin e fabulës së tij me këto dy vargje:”Soji ynë një jetë të tërë/Pronë s’ka patur e pronë ka bërë!”
Por edhe pse fabulistat shprehen me metafora nga jeta e kafshëve, ka edhe njerëz, zyrtarë e politikanë që gudulisen dhe që e kuptojne se për ta bie “kambana” dhe e helmojnë me fjalë Ezopistin e sotshëm . Prandajë edhe Ymer Nurka paraqet në fundin e tre librave (tek “Zbori i Zbatharakëve), Fabulën “Apologjia e Ezopit”, ku shkruan:”Gjyq i ngrënë Ezopit thellë atje në ferr/Një nga një ia renditën çdo kokallë./Vërshuan akuzat për skllavin e ndjerë/Pse folur pat si “kafshë”, kur ishte gjallë.” Ndërsa Ezopi përgjigjet kështu në gjyqin e ngritur nga kafshët:”Pra, më thoni, o njerëz të rinj e të lashtë,/Jepmani përgjigjen që as vetë s’e di./A qesh unë njeriu që fola si kafshë,/Apo qesh një kafshë që fola si njeri!?”. Dhe do të mbetet si një thënie lapidare, esenca filozofike e tij: “Sa më e vogël mëndja , aq më e madhe arroganca!”
Shkruar në Piqeras, në këto ditë vjeshte të motit 2022

Burimi/Facebook

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *