Home

Lajme

LUFTA E MADHE PËR SHQIPËRI NATYRALE – ZAHIR PAJAZITI

No Comments Argëtim Histori

Nga Rudi Berisha
👉 Që në fillimet e para të themelimit të një grupi gueril në Gollak-Llap, në krye të saj ishte i madhi Zahir Pajaziti. Por ky trim me ideale të kthyera në bindje, më fuqi në fitore, filloi aksionet bashkë më shokët e tij, për të sulmuar dhe luftuar kundër një forca të armatosur, pushtuese, kundër ish-Jugosllavisë respektivisht kundër Serbisë. Kundër shtetit kriminal dhe fashist që po mbante Kosovën e pushtuar.
👉 Zahir Pajaziti, kishte një pikënisje të saktë dhe pa gabime. Ai në radhë të parë filloi t’i largonte mbetjet ose bashkëpunëtoret e armiqve (me një fjalë, i largoi nga faqja e dheut tradhtarët e kombit). Vetëm duke i goditur tradhtarët e kombit, atëherë do sigurosh udhën e pastër dhe me të sigurt në aksionet tua kundër armiqve. Zahir Pajaziti i madh, vërtetë ishte duke qëndruar, vepruar dhe goditur korbat e zi nën hije, por hija me pas ju bë dritë, drita e përfshi e gjithë popullin e Kosovës nga të bëmat e të madhit Zahir Pajaziti.
👉 Ideali dhe bindjet e tij, që nga mësimi për te, me kanë lënë përshtypje, me kanë pëlqyer dhe me kanë frymëzuar që të mundohem të jem një laps i mprehtë, për të shkruar në shërbim të dëshmorëve, në dobi të popullit, në fuqizim të kombit me mundësi dhe kapacitetin tim që kam prej një shqiptari tepër-tepër të vogël në tokën shqiptare të madhe dhe madhështore e të lame me gjak.
👉 Edhe pse Zahir Pajaziti, çdo herë kishte pasur shumë kujdes, nuk i besonte çdo kujt, nuk rrinte me çdo kënd. Zahiri, mundohej që aksionet e tij të jenë vërtetë të fuqishme, të dridhinë Serbinë fashiste, pushtuese që po qëndronte në Kosovë. Çdo aksion i tij ka tmerruar armiqtë, besa dhe ca lidhje të armiqve, ju patë shti frikën në palcë. Lidhjet e armiqve, Zahiri i madh, i ka goditur pa mëshirë, me dorën e tij, a po të shokëve të tij, por të gjitha goditjet ishin të sakta dhe sot ato goditje që kanë qenë mbi koka të korbave të zi, janë të padiskutuara dhe janë goditje të merituara.
👉 Zahiri Pajaziti, e ka dashur Shqipërinë, atje është stërvitur që në grupin e parë. Por dora armike dhe bashkëpunëtoret e armiqve dhe atje në Shqipëri kishin arritur. Zahiri i madh, nuk u dorëzua kurrë, ai aksionet e tij i kishte nisur me besim dhe bindje të madhe që Kosova do çlirohet dhe me pas do i bashkohet Shqipërisë. Zahiri, kishte dhe plane për çlirim të trojeve tjera shqiptare. -Vërtetë Zahiri i madh, ka pasur plane të mëdha dhe të zgjeruara. Ka pasur qëllime ashtu siç ishte vërtetë njeri guximtar dhe me qëllim të qartë. Zahiri, kishte përgjigjeje se çka do nga të gjitha aksionet që po i bënte. Zahiri e kishte ditur përfundimin e të gjitha të bëmave të tij në dobi të kombit, atdheut, ai dhe kishte thënë: ‘’ Që Kosova, atdheu, do çlirohet, do e fitoi lirinë’’.
👉 Zahir i ndritur dhe i ditur, që në nisjen e tij guerile, ai e kishte ditur që Kosova do çlirohet. Vërtetë në atë kohë të kishe bindje të tilla, vërtetë është dashur të ishe një kokë e ndritur, por dhe një trup e mendje guximtare. Zahiri i madh, i kishte të dyja: Kishte kokë të ndritur dhe trup e mendje të guximshme. Ndërsa ca koka që thirreshin “ Si koka të ndritura dhe mendje frikacake’’, ata mendoni që Kosova nuk do çlirohet kurrë, ata thoni se: “ Serbia është e fuqishme, ka artileri të madhe për pak ditë do na fshi nga faqja e dheut ’’. Kështu kurrë nuk mendoi Zahiri i madh, ai mendoi që me guxim, shpirt, ideal, luftë do mundet Serbia përgjithmonë, kështu dhe ndodhi, siç tha Zahiri i madh. Zahiri ishte frymëzuar dhe nga Adem Demaçi i vogël me trup, por me një shpirt-guxim të madh dhe të pashoq. Nga Ademi i burgjeve ose Ademi që jetën, rinin e kaloi në burgje të ish Jugosllavisë, Serbisë, për të ndritur rrugët e popullit, siç thotë dhe ai vet
‘’ Unë isha një njeri i cili duhet të digjesha, që të tjerëve të shishin ma mirë, ta shishin njeri-tjetrin dhe në atë errësirë të robërisë, të kishin një orientim. Sepse le të jetë errësira sado e madhe, por vetëm një qiri të jetë diku, njerëzit orientohen andej. Po të mungonte ai qiri, atëherë orientimi bëhet i vështirë. Si mos të del Zahiri i madh, kur ka pasur frymëzim një njeri të guximshëm dhe të madh, të ndritur e të ditur siç ishte Simboli i çështjes sonë kombëtare, Adem Demaçi.
👉 Zahir Pajaziti, ishte një trim idealist, nacionalist dhe një shqiptar i madh. Ai gjithë jetën sa qëndroi në tokën tonë, ne shpirt dhe në mendje kishte çështje kombëtare, kishte ngulitur në kokën e tij strategjinë e themelimit të një ushtrie, por duke filluar vet të jetë ushtari i parë i kësaj njësie guerile dhe duke qenë vet i pari luftëtar për të realizuar me veprime atë që kishte të ngulitura në kokë. Këtë e dëshmoi në aksionet e tij. Por Zahir Papajziti, u bë dhe dëshmor prej të parëve për çlirim, liri të Kosovës, për çlirim të Kosovës që me pas t’i bashkohet Shqipërisë.
👉 Në janar të vitit 1997 grupi i tij zbulohet (dikush i tradhtoi dhe i qiti në prit) nga sigurimi serb. Më 31 janar Zahir Pajaziti ishte duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë me një veturë së bashku me bashkëluftëtarin dhe nipin e tij Hakif Zejnullahu dhe bashkëluftëtarin tjetër Edmond Hoxha nga Juniku, forcat serbe kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në altarin e lirisë, bien duke luftuar me forcat milicore serbo-sllave e pushtuese.
👉 Zahir Pajazitit i ndodhi ajo qe ai çdo herë kishte pasur kujdes, kujdes t’ju besonte njerëzve, ra në prit, luftoi dhe nuk u dorëzua, luftoi deri në rënien e tij heroike, luftoi ballë për ballë me armiqtë e kombit. Zahiri i madh i mbylli sytë, i mbylli sytë Zahiri i madh, që të zgjohet dhe me i madh bashkë me rrezet e diellit. Rënia e tij bëri jehonë të madhe, rënia e tij u bë zgji për te dhe për gjithë popullin shqiptarë.
👉 Zahiri i madh, sot akoma me i madh, na bënë roje dhe dritë, është figurë qe duhet marr shembull dhe duhet frymëzuar ne nga personaliteti, guximi, dija dhe strategjia e tij. Vërtetë Zahiri ishte i madh, por dhe i madh mbeti, për tanë shqiptarët anë e kënd trojeve shqiptare dhe në mbarë botën. Zahiri, u shkri në shtatore të lirisë, atje buzë malit, afër kullës së madhe në fshatin Orllan, por dhe i ngritur në shtatore në qytetin e Besianës (Podujevë). Zahiri, po ashtu madhështor qëndron në shtatore e ballë lart dhe në Kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Ky ishte dhe është Zahiri i madhe, ky është dhe do jetë Zahir Pajaziti.
“ Çdo goditje e ti mbi koka të tradhtarëve, goditje e padiskutuar, goditje e saktë, e qëlluar dhe mirë-menduar ’’
👉 Nderime veprës tuaj Zahiri im. Nderime për ty përjetësisht !
🎬 (Realizimi i fotografisë ” @ k3nart)
rudi@berisha
Dardani antike, 07 maj 2022

Burimi/Facebook

Ndue Lazri – KRONIKË PËR DRITËN NË DHEMBJE…

No Comments Argëtim Letersi

  • Rreth librit “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes” të Zija Çelës –
    1
    Duke më dhuruar librin e tij, në një takim pas kaq e kaq vitesh, shkrimtari ynë i mirënjohur Zija Çela shkroi në autograf: “I dashtuni Ndue Lazri, me bindjen se në zemrën tënde ka vend për dhembjen e tjetrit. Miqësisht, Zija Çela.”
    Eh, të më dish, i dashur Zija… Nisa ta lexoja përnjëherësh librin tënd, siç më ndodh me librat dhe autorët që i kam për zemër. Gjysmën e tij e lexova në avion. Dhe gjithë kohën sytë e mi ishin të veshur nga një tis lotësh, madje ndonjë pikë më rrëshqiti edhe mbi libër, aq sa pasagjerja që rrinte në sediljen pranë më vështroi si me habi. Dhe mendimi i parë, që më erdhi qysh në fillim të leximit, ishte: Paskemi qenë kaq afër e nuk e dija dramën që përjetonte miku im. Vetëm njëqind kilometra, një orë me makinë nga Bolonja ku jetoja unë, në Parmën ku djali juaj, i miri Tani, ishte shtruar në spital. Dhe më e çuditshmja është se në ato vite kur ka ndodhur ngjarja, unë vija shpesh për motive pune në Parma dhe furgonin e punës e parkoja pikërisht në hapësirat e spitalit e dilja të bëja ndonjë shëtitje në ambientet e tij e në zonën përreth, derisa punonjësit e mi të mbaronin punën që u kisha lënë. Tek lexoja, thoja me vete: Si nuk e kam takuar Zijain tek dilte në oborret me gjelbërim e me ujë të spitalit, o tek qiparisi ndjellakeq, ku ai me zë të lartë, në kulmin e dëshpërimit, i drejtohej Atit të madh në qiell, ndërsa i biri luftonte me vdekjen. Po e citoj këtë lutje, që do të shponte thellë çdo zemër njerëzore: “Zoti ynë që je në qiell, ti Baba dhe unë Baba, dhembjen që ndiej unë, ti e ke provuar me Birin tënd dhe e ke duruar, se je Atë qiellor, je i Plotfuqishëm, kurse unë jam i dheshëm dhe i përkohshëm, jam njeri, nuk jam Perëndi, unë nuk kam fuqi ta mbaj dhe as pushtet ta ringjall. Ku je, Atë”, i thirra duke ecur ndërmjet drurëve, “ku je Jezus, a po më dëgjoni?!”
    E në këtë lutje nuk është Abrahami përpara çasteve të sakrifikimit të birit të tij sipas vullnetit të Zotit. Nuk është as Jezusi në momentin e kryqëzimit tek i thërret të atit: “Ku je Atë, përse më ke braktisur?”. Por është Zija Çela, një artist vulnerabël, një prind në kulmin e dhembjes, që është gati të bëjë atë çka është më sublime për hir të dashurisë për birin, të ofrojë vetësakrifikimin e tij për të shpëtuar jetën e djalit. Por është e thënë prej Zotit se nuk mund të bëhen shkëmbime të tilla. E atëherë mbetet shpresa, shpresa te mrekullitë që mund të bëjë shkenca mjekësore përballë një sëmundjeje të pashërueshme dhe, në rast falimentimi të saj, shpresa te ndonjë mrekulli e Hyjit në qiell.
    Autori i librit e quan veten “i çmendur në shpresat për shpëtimin e jetës së djalit”. Dhe është e justifikueshme, sepse çdo prindi do t’i luante truri nga vendi e do t’i shkulej zemra nga krahërori, duke gjetur shpresën si e vetmja forcë që vdes e fundit.
    2
    Zijai nuk ka mbajtur shënime në ata muaj, kur djali i tij, Dritani, ndodhej i shtruar në spital. Nuk donte të humbiste asnjë minutë, vetëm e vetëm për ta jetuar intensivisht me birin, shokun, mikun e madh dhe kolegun e letrave. E tek lexoj librin, më lind përshtypja që në atë periudhë mendja dhe zemra e autorit punonin disi të shkëputura nga njëra-tjetra. Zemra përjetonte ato dhimbje tej kufijve të arsyes njerëzore, ndërsa truri regjistronte gjithçka si filmim i kronikës së një dhembjeje përvëluese. E falë atij regjistrimi lexuesi ka në dorë një libër, një kryevepër mbi dhembjen prindërore e njerëzore, por edhe mbi dashurinë për jetën e luftën titanike për të fituar mbi vdekjen.
    Autori e mban lexuesin në tension, duke i rrëfyer hallin dhe dhembjen e vet. Por atëherë, sapo me intuitë e ndien se edhe lexuesin e ka kapluar dhimbja, ai ndalet, prit pak, sikur i thotë vetes. Dhe me mjeshtërinë e përvojën e një shkrimtari fin, gërsheton një digresion, shkon pak mbrapa a përpara, sjell në skenë fëmijët e familjen e Tanit, si për të thënë që jeta vazhdon e duhet të vazhdojë me larminë e gëzimet e saj. Pastaj vazhdon sërish me kronikën, në mënyrë preçize te fraza ku e kishte ndërprerë më parë. Kështu libri bëhet më pak i rëndë, por jo dhembja, e cila faqe pas faqeje merr përmasa të sublimës. Deri tek ai fund, ku edhe lexuesi më i ftohtë e ka të pamundur ta mbajë lotin e të mos kërkojë të mbushë mushkëritë me frymë si pas një zhytjeje të gjatë në ujë. Sepse është pikërisht fryma që sikur të mbahet, duke lexuar çastet e fundit të një 36-vjeçari, zemra e të cilit, e mbushur me dashuri për jetën, nuk do që të ndalet edhe kur trupi i tij ka filluar të ftohet.
    Tani (Dritan Çela) ishte një i ri plot vitalitet, plot ëndrra e projekte për jetën, ishte nga ato ekselenca intelektuale që e bënte krenar komunitetin shqiptar në Itali, ishte përkthyesi i talentuar që i kishte dhënë lexuesit disa kryevepra nga letërsia italiane. Ishte bir i artit, i një babai shumë të njohur për veprën e tij letrare, që në fillim e merr birin për dore duke e edukuar e plazmuar me dashurinë për artin. Dhe pastaj, kur biri ngjit kodrën e lartë të suksesit, është ai që duket se e tërheq atin për dore. E atëherë përse duhej të ndahej nga jeta pikërisht ky burri djaloshar, njeri me gjithë ato mirësi të spikatura, që kishte vetëm 3 vjet më shumë se Jezusi?! Kjo pyetje të vjen shpesh në mendje gjatë leximit të librit. Por vullneti i Zotit është i padiskutueshëm. Është Ai që e merr vendimin dhe më të mirët i zgjedh për t’i patur pranë vetes.
    3
    Libri i Zija Çelës nuk është një kronikë e thjeshtë e dhembjes së tij, familjes dhe e të afërmve për humbjen e madhe e të pazëvendësueshme. Mbi të gjitha, është një refleksion i thellë e tejet artistik mbi jetën. Në atë libër i ke bashkë shkrimet e shenjta, filozofët e lashtë, artistët e mëdhenj të të gjitha kohrave, që autori me mjeshtërinë e tij i shkrin në një amalgamë arti të lartë, për të dhënë romanin dramatik të jetës së një të riu dhe tragjedinë e brendshme të një prindi. Gjuha e tij është mjeshtërore, leksiku i tij është aq i pasur, sa ç’janë kultura dhe talenti i tij i paanë. Personazhet e tij janë babai – Abraham i kohëve moderne, të cilit flijimi i djalit nuk i zëvendësohet në çastet e fundit me flijimin e dashit; nëna – Ajkunë e heshtur gjatë gjithë kohës, e mbyllur në dhembjen gërryese, por që në fund shpërthen në vaj me ligje për Omerin- Tanin e saj; është djali – Promete, i ngujuar në shtrat, të cilit sëmundja shpend i zi ia ha pak e nga pak trupin, gjersa arrin në zemrën e paepur të artistit plot ëndrra.
    Autori e ndërton librin si një lojë të vazhdueshme midis prindërve, që në asnjë moment nuk lejojnë që djali të marrë vesh diagnozën fatale të përcaktuar nga mjekët, dhe djalit inteligjent nga ana tjetër, i cili hiqet sikur nuk e ka marrë vesh të vërtetën dhe mundohet të mbajë prindërit me kurajo. Është një lojë dramatike e përshkuar fund e krye nga filli i dashurisë për jetën dhe nga shpresa e një mrekullie të mundshme. Por me sa duket në kohën e sotme mrekullitë ndodhin gjithnjë e më rrallë, ose nuk ndodhin fare.
    Mua më ra në dorë mjaft vonë ky libër, 16 vjet pas ikjes për në qiell të protagonistit të tij, Dritan Çela. Por dhembjen e ndjeva po njëlloj, si të kisha qenë në varrimin e atij artisti, që mbetet i pavdekshëm me veprat letrare që përktheu. E ndjeva edhe atë ditë, kur po pija kafe me Zijain, kur ai me shumë delikatesë e përmendte rrallë ngjarjen e hidhur, që për zemrën e tij ishte sikur të kishte ndodhur dje. Në libër e shtuna është një ditë kombinimesh të çuditshme, që mbase nuk janë krejt të rastësishme. Ashtu siç nuk është e rastësishme edhe zgjedhja që ka bërë Zijai. Tek pinim kafe, atij i ra telefoni. Ishte taksisti që çdo të shtunë, si dita kur ka mbyllur sytë Tani, e çon Zijanë në Sharrë, për të shkëmbyer ca fjalë dashunie edhe pas vdekjes, si dikur në të gjallë nëpër oborret e spitalit.
    E ndjej dhembjen ende. E si për kryeshëndosh për mikun tim, shkrojta këto radhë. Por dëshiroj t’i mbyll në një nivel tjetër meditimi. Pikërisht me theksimin që kanë berë autorë të shquar, të cilët duke e ndier gjithashtu thellësisht dhembjen, por edhe dritën e veçantë që buron prej saj, kur kanë shkruar për këtë libër, megjithatë e kanë cilësuar si Himn për Jetën.
    NDUE LAZRI

Burimi/Facebook/Autori

Sazan Guri – Mithi i Shën Gjergjit

No Comments Argëtim Kulture

Mithi i Shën Gjergjit është një mit mijëravjeçar që ekziston në shumë mitologji dhe shumë fe në të gjithë botën. Kështu ekziston miti i lashtë grek për çlirimin e Andromedës nga Perseu, Apoloni që vret gjarprin, miti i Zigfridit në mitologjinë gjermane, Uicilopocli tek Azteket që vret gjarprin që nxjerr flakë nga goja, shkruan shkrimtarja e ditur Kozeta Zavalani. Dragoi është një simbol mbarëbotëror. Kombinon gjarprin dhe zogun, lëndën materiale dhe shpirtin njëkohësisht vazhdon kjo shkrimtare. Në lindje quhet i dobishëm, ndërsa në Perëndim mori kuptimin e ligësisë dhe shkatërrimit, kuptim të cilin ka marrë dhe në këtë mit.
Emri i Shën Gjergjit është i lidhur ngushtë me eliminimin e dragoit, të së keqes, ndaj emrat Gjergj simbolizojnë njerëz të mëdhenj, të lindur për të bërë punëra të mëdha. Kjo lidhet edhe me kuptimin që u jepte populli hyjnor pellazg njerëzve me kraharor të gjerë, me zemër tëmadhe, me gji të gjerë ndaj dhe thirreshin gjergji – gjergj
Beteja me dragoin simbolizon vështirësitë që ekzistojnë për të arritur dikush të fitojë frutet e dijes brendësore. Vrasja e dragoit është përplasja brendësore midis dritës dhe errësirës, duke qenë njeriu që lufton për të mundur natyrën e tij të errët dhe arrin vetëzotërimin. Ai në këtë mit simbolizon ligësinë, të gjitha dobësitë dhe defektet njerëzore.
Ndërsa Shën Gjergji, simbolizon botën shpirtërore, të mirën, forcën pozitive, që simbolizon diellin, botën e vërtetë të dritës. Shpirti është ai që vendos ndërgjegjen – vetëdijen dhe bën njeriun të fillojë rrugën brendësore, apo udhën filozofike siç quhej nga traditat e qytetërimeve të lashtë.
Nuk është rastësishme që personazhi i Shën Gjergjit është kaq i dashur dhe i famshëm nga njerëzit, pasi çdonjëri e di se e mira dhe e keqja, drita dhe errësira, nuk ekziston vetëm në botën e jashtme por edhe brenda çdonjërit nga ne. Vetvetja superiore (Shën Gjergji) i cili lufton me personalitetin tonë (dragoi), në mënyrë që të çlirojë Psikinë tonë. Brenda nesh ndodhet një dragua, por edhe një Shën Gjergj, i gatshëm për ta vrarë atë. Mjafton që ne të duam ta bëjmë një gjë të tillë…
Kësisoj, Shën Gjergji, apo Gjergji i Shenjët ishte dhe është festë dhe ditë e shënjtë e shqiptarëve e cila festohej me 6 maj vazhdimisht edhe të shqiptarët e besimit muhamedan kudo që janë si në Drenicë, Dibër, Kukës. Edhe tani e mbajmë duke stolisur shtëpitë më dru shelgu tregon shkrimtari dhe publicisti Engjëll Gishti. Dru ky, i cili quhet dru jete. Pastaj, e stolisnim dhomën me lule, të cilat i vënim edhe nën jastuk, ku flenim natën. Kështu mëngjesi na qilte më lule nën jastak. Njëkohësisht i lanin femijtë nanat tona më një enë me ujë të mbushur më hithra për dezinfektim të trupit. Kjo përsëritej në çdo Shën Gjergj.
Shen Gjergji eshte patron i shqiptarëve katolikë, ndaj dhe Skënderbeu mori këtë emër. Për këtë arsye edhe Noli i madh, zgjidhte përherë Kishën e Shen Gjergjit. Shikoni brezat e argjend të grave në kostumet arbëreshe: ato kane të gjitha figurën e Shën Gjergjit në qender. Pastaj, nderimi i shën Gjergjit si patron i shqiptarëve, pas kohës së Skënderbeut, u shtri edhe mbi ortodoksit. Psh shaminë e zezë pas vdekjes së Skënderbeut në kokë deri në fun dtë shekullit të kaluar, e vunë edhe katolikët mirditasit, por edhe ortodoksit e Moresë.

Burimi/Facebook

Ndue Lazri – ME GJENIUN E LETRAVE SHQIPE

No Comments Argëtim Letersi

Me shkrimtarin tonë të madh, gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare, më ka rastisur të takohem disa herë. Që kur punoja si gazetar në Shkodër, ai vinte gjithnjë gjatë muajit të letërsisë, në tetor, i ftuar nga Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të atij rrethi, e cila drejtohej nga dramaturgu i mirënjohur Fadil Kraja. Ishte një nga degët më të mëdha e më aktive të Lidhjes, pasi Shkodra kishte një numër të madh shkrimtarësh, piktorësh, fotografësh, aktorësh të teatrit e të estradës, këngëtarë etj.
Takimet bëheshin zakonisht në sallën e madhe të shtëpisë së kulturës që mbante emrin e kompozitorit të madh Prenkë Jakova. I ngarkuar nga gazeta, por edhe si lexues i pasionuar i Ismailit, shkoja me dëshirë në këto takime, madje shkoja gjithnjë para orës së fillimit, edhe për të zënë ndonjë vend në radhët e para të sallës. Atë pasdite ngjita shkallët për në katin e dytë. Ende nuk kishte ardhur asnjeri, as nga drejtuesit e institucionit e as nga Lidhja. Sapo ngjitem në koridorin e madh të katit të dytë, shikoj që aty po vërtitej i vetëm shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare. Për të flisnin se ishte disi i rreptë, por ai, me një korektesë të jashtëzakonshme kishte ardhur që nga Tirana përpara tlë gjithëve në takim. E takova disi i ndrojtur, sepse pata përshtypjen se ishte disi nervoz nga ajo pritje në vetmi. Por jo, më përshëndeti me përzemërsi dhe pastaj, duke vështruar orën më tha: – “Ç’kemi ndonjë barcaletë të re nga Shkodra?”. U gjenda aq i papërgatitur sa m’u lidh goja. Jo se nuk dija barcaleta, se Shkodra i nxirrte me bollek, por për momentin nuk m’u kujtua asnjë. Pastaj, edhe po të më ishte kujtuar, zor se do merrja kurajon të tregoja përpara tij ndonjë barcaletë.
-Tani do vijnë edhe artistët e humorit, e me siguri ata dinë plot barcaleta të bukura,-dola nga situata.
-Hë pra, po ku janë?-pyeti përsëri duke vështruar orën. Në këtë kohë nëpër shkallë u ngjit shkrimtari i mirënjohur Skënder Drini. Ai kishte tjetër njohje e të tjera marrëdhënie me Ismailin dhe pasi u takuan, i lashë të bisedonin me njëri-tjetrin. Bisedonin duke ecur nëpër koridorin e madh. Ndërsa unë u futa në sallën ku do të zhvillohej takimi, ku pati një pjesëmarrje të gjerë dhe Ismaili zhvilloi një takim të ngrohtë me artistët shkodranë. Të nesërmen erdhi për një takim edhe në ish komitetin e Partisë të rrethit, në të cilin e shoqëronte Skënder Drini.
Një herë tjetër, nga mesi i viteve ’90, kishte ardhur në Shqipëri shkrimtari argjentinas me origjinë kalabreze, madje me nënën arbëreshe, Ernesto Sabato, të cilit i ishte akorduar çmimi “Ismail Kadare”. Takimi u bë në ambientet e hotel “Tirana” dhe të dy, si Sabato, ashtu edhe Kadare shkëlqyen në fjalën e tyre para artistëve, gazetarëve e personaliteteteve e shumta që merrnin pjesë. Me atë rast i mora një intervistë të shkurtër Ismailit për gazetën “Albania”, ku isha redaktor i faqes kulturore.
Këtë radhë u takuam pas 26 vjetësh, nga ikja ime në emigracion. Tamam, pak kohë pas asaj interviste, qeshë larguar për në Itali. Botuesi i tij i njohur, Bujar Hudhri, më krijoi mundësinë e takimit në ambientet e “Juvenilias”. Është gjithmonë kënaqësi ta takosh gjeniun e letrave shqipe. Në lartësinë e viteve të tij, tashmë ai është bërë disi më i heshtur (gjithmonë ka qenë fjalëpak), por kur e tërheq argumenti i bisedës gjallërohet, të vështron me vëmendje e thotë diçka nga këndvështrimi i tij. Biseduam për lidhjet e kontributin e tij për Kosovën. Kisha lexuar shumë rreth këtij argumenti, për merakun e tij mbi rrezikun e zhbërjes së Kosovës nga politika e agresioni serb, për lidhjet e tij si intelektual e personalitet shqiptar me konferencën e Rambujesë, në një kohë që qeveria shqiptare e tradhëtonte Kosovën duke thyer embargon ndaj Serbisë e duke e furnizuar atë me naftën që i shërbente makinës luftarake serbe kundër vëllezërve tanë kosovarë. Dija edhe për lidhjet e tij me Ukshin Hotin e për librin që kishte shkruar nga biseda me këtë personalitet kosovar kur ishte i mbyllur në qeli nga Serbët. I tregova për përkthimin që i kam bërë në italisht librit të shkrimtarit kosovar Rexhep Hoti “Nata e Kosovës”, parathënien e të cilit e ka bërë Kadare.
-Ajo parathënie ka krijuar jo pak diskutime në Kosovë,-ndërhyri Bujar Hudhri, duke patur patrasysh se aty Kadare flet mbi hermetizmin e letërsisë kosovare të periudhës kur është shkruar libri.-Por Kadare diti t’ua japë përgjigjen, -përfundoi ai.
Pastaj i fola për aktivitetin e shoqatave shqiptare në Itali dhe për dëshirën që kisha patur ta ftoja një herë në takim me krijuesit e shumtë emigrantë shqiptarë në Itali, por nuk kisha patur asnjë kontakt të tij gjatë kohës që jetonte në Francë.
-Mund të ishim organizuar,-tha ai. Dhe ndjeva një keqardhje të madhe që nuk kisha besuar më shumë tek vetja në këtë mundësi për ta organizuar një takim me shkrimtarin tonë të madh në tokën italiane.
Mes të tjerash fola edhe për ngulimet e familjeve fisnike shqiptare në Capodistria (Koperin e sotëm) pas vdekjes së Skënderbeut, për kalanë e Dukagjinëve mbi Trieste, si dhe për librin e shkruar nga albanologu Peter Štoka, mbi këto ngulime. Ky djalosh slloven i pasionuar, me origjinë të hershme nga Pojani i Korçës, ka shkruar një libër me vlera, ku sjell dokumente të shumta, që për shekuj kanë qëndruar të fshehura në bibliotekën e Koperit, ku ai punon. Ai i ka çpluhurosur ato dokumente e mbi bazën e tyre, si dhe të toponimeve e zbulimeve arkeologjike ka shkruar një libër me rëndësi, që kam patur kënaqësinë ta përkthej në shqip e që do botohet brenda këtij viti. I shpreha dëshirën Kadaresë, që të mund të ishte i pranishëm në promovimin e këtij libri.
-Bisedoje me Bujarin, kur të vijë momenti, dhe nëse nuk kemi ndonjë angazhim tjetër, vij me kënaqësi,-tha ai.
Në atë takim pata rastin të shihesha edhe me poetin e mirënjohur, Sadik Bejko dhe me gazetarin Çerçiz Loloçi, i cili bashkë me Bujarin na bënë disa foto nga ky takim me gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare.
Ndue Lazri

Burimi/Facebook

Greta Ljarja – Aleksandër Gera (1926-2001)

No Comments Argëtim Letersi

Autori i kanges Kaçurrelat e tue (shum prej nesh e njohin si krijimtarin e Gac Çunit,por e verteta asht qi rreshtat e kanges me kèrkes tè Gacit i ka shkrue Sandri , ndersa Gaci kompozoi,1950-1953 nè burgun e Burrelit )
Autori i “Po vin krushqit maleve”
‘Me lule tè bukra” etj etj
— pjesa ma posht asht shkput prej shkrimit tè Anton Çefës: “Disidencë fisnike dhe politizim çoroditës në letersinë tonë” botuar ne gazetën “Dielli” – Vatra, Nju Jork, 2005
Aleksandër Gera

  • Punoi si mësues dhe në sektorin e kulturës dhe si bibliotekar në bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës. I njohur si poet dhe hartues këngësh. Aleksandri botoi dhe në të njëjtën kohë shkruante poezi disidente. Nga botimet po përmendim: “Lugina e qetë”, “Gjurmë të kohës”, “Kangë e zbritun nga malet”, “Nora e Hotit”, “Kangë agimesh”, etj.
    Më vjen mbarë këtu të botoj një fragment të një interviste që ia pata marrë në vitin 1992, kur, mbas përmbysjes së diktaturës, punova si redaktor në gazetën “Shkodra”, (e para gazetë demokratike lokale, që u botua mbas rënies së komunizmit) dhe që atëherë mbeti pa u botuar.
    “Shkodra” – Ju, Sandër, keni shkrue tekste kangësh së paku tash 47 vjet. Ato janë muzikue nga Prenkë Jakova, Tish Daija, Tonin Harapi, Kolë Gjinaj, Mark Kaftalli, etj. dhe dikur janë këndue nga bylbylat e Shkodrës Pjetër Gjergji, Gac Çuni (i vdekun mizorisht në burgun e Burrelit), etj. Po, a vetëm tekste kangësh?
    S. Gera – Po nuk e fillove me kangë jetën, me çfarë tjetër do ta fillosh? Ato kangë qenë limonadat e para në sofrën e madhnueshme të poezisë. Në Shkodër, po nuk e fillove me shtregullat klasike e baritoret e maleve, më thotë mendja se asht zor me këndue.
  • E pastaj filloi poezia ?
  • Atëherë kanë fillue “Sonatat e Kain Abelit”. Kam ulë kokën ndër “Epitafe te Zalli i Kirit”, jam freskue në “Pika shiu në tokën e rreshkun”, jam endë në soditje te “Bukuria e gjarpnit” (nji roman në vargje), dhe megjithatë kam qenë “Alastor flatërdjegun” e nuk po përmend libra të tjerë që kam botue nën duertrokitjet e realizmit socialist, të cilët i ka shfrye zemra me gojë të mbyllun. Mos u çudit, po legjenda e Sizifit më ka kapë edhe mue, si mallkim, qysh në vitin 1945 dhe qysh prej asaj kohe: kam qeshë, kam lotue, kam mallkue, kam shpresue, tue bartë gurët në shpinë. Kam nynykatë gojëmbyllun “Sonatat e Kain Abelit”, si të gjithë, i heshtun mbrenda Aeropagut të shemtuet, e tue i lidhë të gjitha shfrimet e mia poetike në fillin e Arianës, e cila, them të drejtën, më ka dashunue dhe po më nxjerr nga labirinti për të puthë pa frikë flijimin e Rozafës sonë.
  • Ma së fundi, i the të gjitha, po të uroj që Sonatat gati gjysmëshekullore të dalin në dritë e të këndohen pa ia pasë frikën asnjë Minotauri.”
    Një cikël poezish nga “Kangët e nëndheshme” të Gerës, kam botuar në “Dielli”, në nr. 2 të vitit 1994.
    Sandri vdiq në vitin 2001, mbasi botoi “Via Lucis”, që si duket e shkroi mbas përmbysjes së diktaturës. Ai nuk arriti të botojë asnjërin prej titujve që kemi përmendur më lart, në intervistën e tij, e që ai i quante me një titull të përgjithshëm “Kangët e nëndheshme”. Dy poezi që më dërgoi kohët e fundit, nga Italia, e bija, Paola Gera, janë nxjerrë nga përmbledhja e titullueme “Gufime kangësh të theruna”.
    Kritika letrare e ka vlerësuar poezinë e Gerës. “Tradicionalja me vazhdimësinë e saj ma përfaqësuese dhe modernia me praninë mbizotnuese si strukturim bazë poetik dhe në ndërsjellje figurative transmetojnë forcën domethanëse të poezisë së Sandër Gerës” shkruan në kopërtinën e brenshme të “Via Lucis”, kritiku Hasan Lekaj. “Poezia e Gerës shëmbëllen me një produkt të harmonisë mes traditës dhe modernitetit, në poezinë tonë. Me siguri që në rendin ekzistues të monumenteve të poezisë shqipe, ajo do të afirmojë vokacionin e saj autentik, tue i imponue këtij rendi ndryshime cilësore estetike, të tilla ndryshime që imponuen, me botimin e tyre, poezia e Camajt dhe e Zorbës”, shkruan po aty kritiku Arben Prendi.

Burimi/Facebook/Pro Gegnishtes/Greta Ljarja

Luke Luka – SHKODRA, URAT E KUFINI

No Comments Argëtim Histori

“Urat bashkojne si gjylpana, kufini ndane si gershana” H.W.Longfellov …….
(“Rrefenja te nji hani buze rruge”..Tales of a wayside inn)
Shkodra rrethu me lumejt Drin, Kir e Bune, ngjane me nji ishull te begate (Log i lumtunise e quente Mjeda)!.
Per me hi ne qytet, patjeter duhet te kalosh nji ure!…..
Nuk besoj se do te kete ne vendin tone, nji qytet tjeter, qe te kete kaq shume ura, disa ne perdorim e disa te mbetuna ne toponime, ku sejcila ka nji histori apo gojedhane!.


  • Identitet i Shkodres asht ura mbi Drin, e njoftun me emnin Ura e Bahçallekut,
    ndertu ne vitin 1914 me nji investim te Austrise dhe disa reshpereve shkodrane.
    Ne vitin 1970, u ndertu ure e re ne projektimin e drejtimin e ingjinierit Sander Poja. Ura e vjeter ka mbetun skelet metalik.
    Ura e Mesit.Ndertu ne vitin 1768 prej Mehmet Pashe Bushatit (Ruhet si monument kulture).Paralel me te asht ndertu ura e re.
    Ura e Bunes,ndertu prej Qeverise Osmane ne vitin 1889 (me nji mekanizem per hapjen e saj per te leju kalimin e anijeve prej liqenit ne Bune), nen kujdesin e kryetarit te Beledijes Bektash Kazazi (Sot perdoret si pedonale). Ne vitin 2011, u ndertu ura e re e Bunes, disa metra ma tej!…
    Ura e Kirit e vjeter ndertu ne kohen e turqise ,sot shkatrru krejt..Asht ndertu ure e re me dy segmente, njeni per kalimin e trenit Shkoder – Tirane.
    Pak mbasi kalon Uren e Bah çallekut, me marre rrugen poshte djathtas ne drejtim te Berdices, gjenden meturinat e nji ure shume te vjeter e stilit romak, harkore qe thirret Ura e Katilines. Gojedhana thote se aty prijsi romak Katilina, i ndjekun prej Çezarit, mos me ra ne doren e ndjekesit, vrau vehten!…
    Ura Dervishbeg (sot toponim). Asht nji artere lidhese me qendren e qytetit e Parrucen me sheshin e Perashit. Asht thirre edhe Sokaku i Nemces, sepse aty ka kene Konsullata Austro-Hungareze.
    Ne Pazarin e vjeter, dikur ne lulezim, gjeje nji vend qe thirresh Balli i Ures se ma tej vinte Ura e Qafes si dhe ajo qe ekziston edhe sot, Ura e Vezeve (poshte saj ishte pazari i vezve)!
    Ura e Thive ne hymje te qytetit ka lindja. Ishte ne forme harkore si kurrizi i nji breshke. Aty tregtoheshin thite per mos me hi ne qytet, per respekt te qytetareve musliman!..
    Ura Kerçile (lidhete Perashin, Draçinin e Xhabijen me Pazarin)
    *
    Ura tjera te njoftuna kane kene e jane,disa edhe sot ne perdorim: Ura e Shtrejte, Ura e Vrakes, Ura e Telit (Bardhej), Ura e Maxharit, Ura e Dedgjolulit(rruges per Velipoje me dy ura drejte plazhit), Ura e Vaut te Dejes (ketu kane ndodhe shume aksidente prej pasigurise e ndertimit me shtroje e parmake derrase).
    Mbeturina e nji ure shume e vjeter gjendesh edhe ne fushen e Bunes (sot e ka mbulu dheu)..
    Disa ura te vogla kane kene edhe gjate vijes se Perashit (kanal i madh uji), te cilat lidhnin shpite matane kanalit me rrugen!…

Per te plotesu proverbin, ku ndryshe prej urave,qe krijojne bashkim ,kufini krijon ndasi sikurse gershana, po shtoj diçka ma shume per te:
Kufini asht simboli i ngatrresave te vogla ne mes qytetareve per troje e te medha deri ne mes shteteve,ku nuk kane mungu as grindjet e luftat!
Tek ne,ne diktature, kufini ishte mister e frike, urrejtje e mallkim.
Sa e sa te rij ,e jo vetem, mbeten te vrame ne tentative per ta kalu ate….
Se fundi, ato u bane edhe pre e nji mashtrimit (ka vend per nji postim te veçante). Vetem ne nji hark kohor te shkurte, humben jeten mbi 100 te rij me andrren e tyne per nji jete ma te mire matane kufinit, tuej i besu mashtrimit?….

Burimi/Facebook

Bari Dervishllari – Haber i mirë!

No Comments Argëtim Letersi

U ktye plaku në shtëpi,
pot gëzim dhe dashuri.

Më një maj o plakë xhani ,
do ti hedhim te tavani.

E lxova sot në gazetë
vallahi është lajm i nxehtë.

Ç’po thua o plak murrash?
Paske pirë një dorë hashash.

Pusho moj plakë tru laraskë,
Tash e tutje s”ka më maskë

Seç iu hodh plaka në qaf,
tu bëfsha,sot pulë me pilaf.

B.Xh.D.Dushar.Korçë

Burimi/Facebook

“KU TA DINJA UNË SE AY “HAJDUTI” PASKISH QËNË IM ATË!”, tregon Skënder Luarasi

No Comments Argëtim Histori

Nga Dilaver Goxhaj

Si sot, më 22 prill të vitit 1865, (157 vite më parë), lindi në Luaras të Kolonjës, në një familje muratori, patrioti Rilindas Petro Nini Luarasi, i biri i Nini Petro Kostallarit. Petro Nini Luarasi ka qenë veprimtar i Rilindjes Kombëtare, publicist e pedagog, “Mësues i Popullit”. Ai ishte nxënës në shkollën e Qestoratit (Lunxhëri – Gjirokastër) drejtuar nga Koto Hoxhi. Babi i tij quhej Nini Petro Kostallari.

Petro Nini Luarasi punoi si mësues në fshatrat e Kolonjës, ku u mësonte fëmijëve fshehurazi gjuhën shqipe dhe përgatiti një grup shokësh si mësues. Më 1882 hapi Shkollën e Parë Shqipe në fshatin Bezhan të Kolonjës, kurse më 1887 hapi shkollën shqipe në Ersekë dhe pak më vonë (1892-1893) shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës e të Vakëfeve, punoi si drejtor dhe mësues i Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).Në vitin 1892 bashkë me Gjerasim Qiriazin themeluan shoqatën protestante “Vëllazëria e Shqipërisë”. Në emigracion, në Amerikë (1904-1908) mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare, ishte nismëtar i shoqërive patriotike “Mall i mëmëdheut” dhe “Pellazgu”, i krijimit të komiteteve të fshehta për lirinë e Shqipërisë.

Ishte delegat në Kongresin e Manastirit (1908). Për veprimtarinë patriotike, arsimore e shoqërore u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i helmuar prej tyre në Ersekë, më 17 gusht 1911.

Petro Nini Luarasi bashkëpunoi në organet “Bashkimi i kombit” (Manastir 1909-1910), ku qe dhe redaktor, në “Drita” (Sofje, 1907-1908), në “Kombi” (Boston, 1908), në “Liria” (Selanik, 1909-1910) ku botoi shkrime publicistike, pedagogjike dhe poezi. Në veprën politike “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit” (Manastir, 1911) mbrojti të drejtën e popullit shqiptar për kulturën e vet kombëtare. Propagandoi një nga idetë qendrore të Rilindjes:bashkimin në luftë për lirinë e Shqipërisë pavarësisht nga besimi fetar”. Nga Presdienti i Shqipërisë i është akorduar “Urdhëri Nder i Kombit”. Kur ishte në mërgim në Amerikë, më 28 kallnor 1907, botoi poezinë “Morali i martirëve”:

MORALI I MARTIRËVE

Petro Nini Luarasi

Mos pandehni se fitojmë

Me krahë të huajvet,

Se dhe kur na përgëzojnë,

Kan’ interes të vet.

Grekër a të tjerë qofshin,

Ne duhet që t’i largojmë,

Ar – ergjënd ndë na pagofshin,

Me sy të mos e vështrojmë!

Se zën’ e na përkëdhelin

Me lajka e me të dhënë:

Të na marrin Mëmëdhethin,

Të na humbin gjuhën tënë!

Duan gjuhën të na ndajnë,

Të tyren të na dhurojnë.

Si një qen lidhur në shkardhë,

Të na heqin, na gëzojnë!

Na thon: “U kemi vëllezër!”

Më një’anë thellëjnë gropë,

Qentë! Me një qëllim tjetër

Duan të na bëjnë copë!

Me mënyrat që rrëfejnë,

Duan gjithë të na rrjepin!

Nën urdhër të na kenë,

Shpirt’ e zemër të na djegin!

Pa mos qenë një nga fara,

As nga gjaku, as nga gjuha.

Nga na del greku përpara

Dhe më thotë që “të dua”?

Na thotë : “Jemi vëllezër

Dhe të dashur gjithëmonë”,

Me lajka na kllet në sedër,

Që të harrojmë zakonë!

Oh! Se ç’thënka nom’ i grekë!

Shqipëtari sa të rronjë,

Për greknë ndë këtë jetë

Të vuanj’ e të punojë!

Të jetë skllav i mbërthyer,

Të përpiqet për Greqinë,

Ndë do që të jet’ i vlyer

Të quanj Zot Perëndinë!

O vëllezër shqipëtarë,

Mysliman’ e të krishterë,

Mblithni mëndjen sa më parë

Në doni të kini nderë!

Nga të huajtë u çkëputni,

Punoni për vet’hen vetë

Në doni që të mos humpni

Nga faqja e dhéut për jetë!

S’i ndihë kurrë Perëndia

Një njeriu, që ësht’ i marrë,

Kujt i pëlqen robëria

Shtëpisë së tij i vë zjarrë!

Një njeriu që nuk ka sedër

Dhe nder’ e tij e shet gjetkë

Dhe i pëlqen të rrojë i verbër,

Pa shpirt, pa zëmër, pa shpretkë.

Qysh i ndihka Perëndia

Dhe i bëkërka të mirë,

Kur e tërë njerëzia

E ka gatër e këllirë?!

Cili njeri i çnderuar

Paskërka, kurrë në botë

Miq e shokë të lëvduar,

Pra, edhe ndihmës për kokë?!

Të poshtër ne s’kemi qënë,

Ne s’jemi nga farë e ligë,

Shqipërinë pse ta lëmë

Si mëmë pa djem dhe shtrigë?

Kemi qënë e do të jemi

Burra trima shqipëtarë,

Dhe në dorë tën’ e kemi

Të bëhemi si më parë!

Hidhni syt’ – o shqipëtarë!

Vini re botën e tërë,

Mejtohuni ç’qe më parë

E tani si është bërë!

Ç’e madhe mëkatë

Që të rrojmë kaq çnderuar,

Turp për gjyshër e për atë,

Q’i kemi fort të lëvduar!

Po të mejtohemi hollë,

Ç’e duam vet’henë tënë?

Më mirë që të mos rrojmë

Kur s’jetojmë për të qënë!

I biri i tij, shkrimtari dhe vullnetari i Luftës së Spanjës, SKËNDER PETRO LUARASI (1900 – 1982), lindur po në Luaras të Kolonjës. Ndonëse banorët e fshatit Luaras ishin protestantë, babai i tij, Petro Nini Luarasi, i dha emrin Skënder për t’iu referuar Heroit Kombëtar Shqiptar Skënderbe. Kumbari i tij ishte poeti Naim Frashëri. Skënderi jetoi me babanë shumë pak, por le t’ia lëmë fjalën atij:

“Më 10 maj 1903, një yzbash me shumë asqerë, që në mëngjes, na kishin rrethuar shtëpinë, të cilën e bastisën; ngarkuan dy barë me libra shqipe, dhe urdhëruan tim atë të nisej për në Ersekë. Më parë se t’ia lidhnin duart me hekura, babai më ngriti lart e më puthi. Sa kisha mbushur 3 vjeç e s’e mbaj mënd këtë ngjarje, por nëna më tregoi se i paskësha thënë të më sillte sheqer të kuq kur të kthehej prej Erseke.

Prapë nëna më tregon se të mërkurave dilnja tek Udha e madhe e pyesnja pazarakët mos ma kishin parë babanë. Por dalëngadalë e harrova; dhe më në fund zura të besonj, sidomos kur burrat e tjerë, ditët e shënuara, ktheheshin nga kurbeti dhe u sillnin kalamajve këpucë e roba të bukura, se

unë s’do të kisha pasur kurrë baba. Kështu për 5 vjetë me radhë, derisa babai u kthye në shtëpi, pasi babai u arratis e vajti në Amerikë.

Më 1908, tokën e bukës që e kishim ndonjë orë larg fshatit, e patëm mbjellë grurë. Arat qenë korrur, dhe duajt prisnin t’i shinim në lëmë. Atë ditë, që me natë u bë dyfek në pyllin e Shënkollit të Vodicës midis ushtarëve turq e (siç u muar vesh më vonë) çetës së Çerçis Topullit.

Bujqit e tjerë i fshehën kafshët e samarit, po mua bujku Bido m’i ngarkoi të mijat dhe më tha t’i vinja pas. Te Kroi i Janit po shlodheshin disa burra me mjekër, të armatosur. I dirsur, mora zëmër dhe zbrita të pi ujë. Njëri nga ata më pyeti: “I kujt je, mor djalë?” – “I Petr . . .Illi Dikës”, iu përgjigja. (Aso kohe trimat e Maliq Beut, si Dake Mali, mirrnin dhe skllevër, prandaj nëna na kish porositur, ne vëllezërve, që kur të na pyesnin xhandarët dhe të panjohur se të kujt ishim, të thoshnim se qemë djemt e mjeshtrit më të varfër të mëhallës).

Buri me mjekër qeshi, më puthi në ballë dhe më dha një grosh. “Na – më tha – ta blesh sheqer të kuq”. Nxitova pas kafshëve të ngarkuara ( që shyqyr nuk m’i muarrnë!) dhe pa kaptuar Shën-Thanasin ktheva kryet dhe thashë: “Mor po, paska dhe hajdutë të mirë!”

Nëna e dinte se babai ishte kthyer fshehurazi në Shqipëri që në maj. Kur ja tregova ngjarjen, ajo më porositi: “Se mos ia thua njeriu këtë gjë!”. . . .

Më 10 korrik 1908 u shpall Hyrjeti. . . . . Prej mëhallëve të ndryshme dëgjoheshin pushkë. Te kroi i Madh hasëm burra të mëhallës Matorusë, që ngjiteshin për në Kostallarë: “Shyqyr që të erdhi Petroja shëndoshë, o teze Janje!”, i thoshnin nënës dhe zbraznin dyfeqe edhe ata.

Kur arrita vetë në shtëpi pashë dyshemenë e qoshkut të mbushur plot me njëqind palë këpucë. . Motra e madhe më përqafoi, duke thirrur: “Erdhi babai! Shih ç’të ka sjellë! Vishi! Mbathi! Shiko, thuaji mirë se erdhe!” – dhe m’i veshi robat e ra prej kadifeje e bojë hiri, më mbathi këpucët me xhufka, dhe më vuri në kokë takijen e qëndisur me ar.

“Po kujt t’i them Mirë se erdhe?” – e pyeta.

“Atij burrit që s’e ke parë tjetër herë”,- më porositi kushërira Gule.

Kur hyra në odën e madhe, i hutuar, vura re se teze Janja i kish hedhur dorën e djathtë në qafë burrit të huaj. . . Ky u ngrit, më puthi në ballë e në faqe, dhe më mori pranë. Ndënja shesh, e vështronja me bisht të syrit e thosha me vete: “ Ky qënka gjallë ai hajduti që më dha groshin të blej sheqer të kuq!” Ku ta dinja unë se ay “hajduti” paskish qënë im atë! . . . .

Të hënën 15 gusht, ditën e Shënmërisë, e kremtoi me mysafirët. . . . .Të martën, sa përcolli miqtë e fundit, tek hidhte vah, e lajmëruan të vinte n’Ersekë. Të mërkurën, (më 17 gusht 1911), u nis për atje më këmbë me pazarakët.. . .Kur dukej sikur tregëtarët grekomanë e pranonin të çelej

shkolla shqipe, kësaj radhe po e dehnin me fjalët e tyre të ëmbla “vëllazërore” e “patriotike”, Mësonjësin e Shqipes e “gostitën” me konjakun e helmuar, q’e pati përgatitur spiceri dhe doktori grek Thanas Janulli me porosinë e Hyqymetit dhe me shtytjen e Mitropolisë greke.”

(Marrë prej: Skender Luarasi “Fjala shqipe”, Tiranë, 1961, fq.105 -109)

Nizar Kabani – Ah nënokja ime.

No Comments Argëtim Letersi

U rrita nënoke… dhe kam filluar të të ngjaj gjithnjë e më shumë…
Tashmë zgjohem herët…
dhe flej para të gjithëve…
Trafiku ka filluar të më mbysë…
e fjalët më lodhin…
U rrita nënokja ime dhe kam filluar të pij më shumë çaj…
më pëlqejnë barishtet… dhe aroma e qelibarit…
U rrita nënoke dhe gjithçka e lexoj vetëm…
qaj në heshtje vetëm… dhe përmallem krejt vetëm…
U rrita nënokja ime,
të gjithë largohen…
dhe miqtë janë pakësuar shumë…
Më pëlqen më shumë qetësia, e imagjinon dot…?
kurse zhurmat m’i shterojnë energjitë…
U rrita nënoke dhe s’e shijoj qëndrimin natën vonë…
dhe krejt si ti, tashmë është deti ai që më fal qetësi…
Nuk jam më ajo që ëndërronte fustanin…
bota është bërë kaq e komplikuar…
e thjeshtësia gjithnjë e më e vështirë…
Sot, njerëzit u ngjajnë më shumë kukullave…
e unë nuk di të luaj më…
Jeta nuk është siç më pate thënë… plot ngjyra…
kurse udhët, kryesisht, gumëzhijnë nga njerëzit e shumtë…
të gjithëve, nënoke, u rëndojnë halle mbi supe…
Gjithnjë e më shumë, nënoke, më merr malli për veten…
Kam mall për thjeshtësinë e atyre ditëve në shtëpinë e gjyshit…
Kam mall për atë kohë atje, kam mall për ty…
Kam mall për veten time të vogël, si dikur…
Kam mall për qortimin tënd spontan, të sinqertë, të butë dhe lotues…
Tashmë është jeta që më qorton, nënoke…
janë ditët e padrejta që kritikojnë…
të gjithë ua hedhin fajin të gjithëve…
Nuk ka më dashuri pa interes…
dhe mirësjellja është shndërruar në një kompliment me kosto…
U rrita nënoke dhe pashë që isha plakur…
thinjat mi pushtuan flokët e mi të errët, të cilët i doje aq fort…
e që dikur u thurrje këngë e luaje me to…
U rrita shumë…
e bota nuk është aq interesante sa mendoja…
U rrita nënoke që ta kuptoj se unë jam ajo vogëlushja jote, sado të rritem… dhe se përqafimi yt është e gjithë bota ime…
Ah nënokja ime.
Nizar Kabani
Përktheu:
Elmaz Fida

Burimi/Facebook/Teona Bushati/Gegnisht

Teona Bushati – Herion Fasline, basketbollistin shkodran 3 here Kampion Kombetar e 2 here Lojtar i Vitit, nuk e perkul asgje !

No Comments Argëtim Histori

I lindur dhe rritur në Shkodër, si një fëmijë që vuante nga obeziteti, Herion Faslija filloi të praktikonte basketbollin në moshën 12 vjeçare me qëllimin e vetëm për të humbur peshë. Trajneri i tij, Prof. Refik Vorfa pa tek ai talent dhe potencial te madh dhe e inkurajoi të ndjekë me seriozitet karrierën si basketbollist.
Keshtu Herioni me talent, punë e përkushtim në moshën 14 vjeçare bëhet pjesë e ekipit kombëtar të moshave.
Dy vite më vonë u bë pjesë e ekipit të të rriturve të ekipit të Vllaznisë, ndërsa me vonë u bë pjesë e ekipit kombëtar të të rriturve nga 2010-2021, si dhe e klubeve Vllaznia, Teuta, Goga, Kamza dhe Trepça e Mitrovicës.
Me klubet që është aktivizuar ka fituar 3 tituj “Kampion Kombëtar” dhe është shpallur “Lojtari i vitit” 2 herë nga Bashkia Shkodër.
Por përveç sukseseve, karriera sportive ka edhe të papriturat e saj. Për momentin Herioni po rikuperohet nga një dëmtim i rëndë që ka pësuar në sy gjatë këtij sezoni, por ky fakt nuk ia zbeh atij aspak entuziazmin për punën dhe nuk e pengon të ndjekë pasionin e tij, basketbollin, por tashmë edhe në një tjetër dimension.
Së fundmi ai ka krijuar Shoqatën “Monogoal” me fokus ndërgjegjësimin e moshave të reja për rolin pozitiv në jetën e njeriut të aktivitetit fizik në përgjithësi dhe sportit në veçanti.
Si pjesë e këtij programi, së bashku me basketbollistin e mirënjohur dhe mikun e tij Ervin Bërdica, ka filluar t’i përkushtohet stërvitjes së fëmijëve dhe zbulimit të elementeve të rinj në sportin e basketbollit, njëjtë siç ndodhi edhe me atë vetë kur ishte fëmijë.

Gegnisht i është mirënjohëse këtij brezi të ri të mrekullueshëm që po përpiqet me punë e me sakrificë ti japë jetë e dritë qytetit, e t’i rikthejë atij shkëlqimin e dikurshëm!

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Burimi/Facebook/Gegnisht