Home

Lajme

Gentiana sheh foton e nënës biologjike pas 46 vitesh dhe gjen 5 vëllezër e motra!

No Comments Argëtim Histori

Një lajm të hidhur e një të mirë ka marrë Gentiana, në prag të 46 vjetorit të saj. Data 10 qershor nuk do jetë më thjesht dita kur ka ardhur në jetë por edhe ajo kur mbylli sytë përgjithmonë nëna e saj biologjike. Por lajmi i mirë është se nënë Sania nuk e ka lënë vetëm pasi Gentiana ka edhe pesë vëllezër e motra të tjerë. Surpriza e vërtetë ishte fotoja e nënës biologjike, të cilën për shkak të privatësisë, mundi t’a shohë vetëm ajo. Mes lotëve që nuk i pushonin Gentiana arriti të buzëqeshë për një moment teksa duke parë portretin e të ëmës tha e lumtur “i ngjaj asaj”…
Për herë të parë ajo ka zbuluar se zonja që e ka sjellë në jetë, ka qenë e detyruar t’a braktisë por kurrë nuk e ka harruar. Sekretin e vajzës së lindur më 10 qershor 1975 në Shkodër e dinin shumë pak njerëz. Për vëllezërit e motrat të cilët e mësuan së fundmi ekzistencën e Gentianës ka qënë një tronditje e madhe.
E ardhur enkas nga Italia për të zbuluar të vërtetën e origjinës së saj biologjike, në studion e “Ka një mesazh për ty” në TV Klan, Gentiana ka rrëfyer fëmijërinë e lumtur me prindërit që e adoptuan por dhe përpjekjet që ka bërë vitet e fundit për të zbuluar diçka më tepër për nënën për të cilën nuk dinte asgjë përveç emrit. Atë e adoptuan qëkur ishte dy vjeçe dhe gjatë adoleshencës ka dëgjuar fjalët e para se nuk ishte fëmija i atyre që po e rrisnin. Për hir të dashurisë dhe respektit, nuk mori kurrë guximin që të pyeste më tepër sa ishte nëna adoptuese gjallë. Më pas, vetmia e natyrshme që filloi të ndiejë e bëri që të kërkojë në rrugë private e deri në dy emisione televizive por pa rezultat.
Nëna e saj Sanie, siç u zbulua gjatë emisionit, e kishte lindur Gentianën jashtë martese. Ajo ka jetuar në një qytet në veri të Shqipërisë dhe në moshë të re ka mbetur e ve me pesë fëmijë. Disa vite pas kësaj, ajo ka mbetur shtatëzënë dhe kjo tabu nuk mund të përtypej lehtë nga familja dhe komuniteti ku jetonte ndaj dhe vajzën e ka lindur në qytetin e Shkodrës, larg vendbanimit të saj. Fëmijët e Sanies kanë rrëfyer për stafin se e mbanin mend që nëna e tyre dikur ka munguar për dy muaj me pretekstin se do bënte një operacion për apandesitin në Shkodër. Teksa vitet kalonin, ata nuk arrinin ta kuptonin faktin se përse Sania ishte bërë tejet melankolike, qante sa herë shikonte emisione televizive ku fëmijët bashkoheshin me nënat biologjike. Ndoshta priste që Gentiana e saj të bënte atë hap që ajo nuk pati kurrë guxim t’a bënte. Sekretin e saj duhet ta ketë ditur vetëm një e afërme, fëmijës së cilës i kishte vendosur të njëjtin emër si vajzës që u detyrua të braktisë, Gentiana. Më 10 qershor 2011 ajo u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë, pa mundur kurrë të shohë për herë të fundit të bijën. I gjithë ky rrëfim i vuajtjeve të nënës, e ka tronditur Gentianën e cila ka shpërthyer në lotë teksa e shihte me adhurim foton e saj.
Pas 46 vitesh Gentiana ka mundur të realizojë misionin më të rëndësishëm të jetës së saj, të gjejë rrënjët biologjike. Fakti më emocionues pas fotos së nënës është ai që ajo ka pesë vëllezër e motra, një prej të cilëve po e priste për t’a përqafuar në prapaskenë.
“Gjurmët e Jetës” kishin më shumë se një vit e gjysëm që merreshin me kërkime për këtë rast i cili u zgjidh më sukses si shumë të tjerë.
Nese kerkoni nje mik, nje te aferm, femije te adoptuar qe duan te mesojne rrenjet e tyre biologjike apo prinder qe duan te gjejne femijet e tyre te braktisur per rrethana te ndryshme, mjafton qe te na kontaktoni ne rrjetet tona sociale apo ne email: gjurmetejetes@gmail.com

Burimi/Facebook/Gjurmet e Jetes – Traces of Life Albania