Home

Lajme

Historia e një gruaje të pazakontë

No Comments Argëtim Histori

Sevasti Dako në kujtimet e Musine Kokalarit

Sevasti Kyrias Dako është ndër femrat e para shqiptare të shkolluara. Kontributi i saj i madh është në ndërtimin e shkollës shqipe. Gruaja me flokët e zinj, e fytyrën plot jetë, kujtohet përmes kujtimeve, të ish nxënësve, për pasionin me të cilin përcillte dijen. Nxënëse e saj ishte dhe Musine Kokalari në Institutin Kyrias. Instituti Kyrias u themelua më 1891 prej Z. Sevasti Kyrias Dako dhe u çel për herë të parë në Korçë, më 23 Tetor 1981 në shtëpi të zotit Grigor Eliadhe Frashëri, afër Shën Gjergjit me tri nxënëse. Në kohërat më të mira instituti arriti deri 87 nxënëse e në kohët e ndjekjeve më të rrepta numri zbriti në 19.

Në shtator të vitit 1913 shkolla nuk u hap dot nga shkaku i sundimit grek. Më 2 Mars 1914, pas largimit të ushtrisë greke, zonja Dako u kthye nga Manastiri në Korçë, shkolla u çel, po nga shkaku i trazimeve prej ushtrisë greke, shkolla u transformua në spital për të plagosurit. Në 6 Korrik 1914 themeluesja e Institutit u shtrëngua të largohej e kërcënuar prej andartëve grekë, që hynë në qytetin e Korçës më 10 korrik 1914. Kështu shkolla u mbyll për herë të parë pas 22 vjet shërbimi.

Në Janar 1922 zonja Dako dhe zonjusha Parashqevi Kyrias u kthyen nga Amerika dhe në 2 Tetor të po atij viti e çelën shkollën në Tiranë, në shtëpinë e Sulejman Kusit, në rrugë të Fiqve, ku e vijoi punën për 5 vjet. Në Tetor 1992 shkolla u vendos në Kambëzë. “Musinenë e kam njohur në Institutin Kyrias në Tiranë, Kishim mësuese të shquar Sevasti Dakon dhe Parashqevi Kyrias, që na mësonin me dashuri dhe zell.

Musinea erdhi nga Gjirokastra. Ishte ende fëmijë, po dukej si një vajzë e rritur. Ishte jashtëzakonisht e sjellshme dhe e urtë. Ne kishim bërë anglisht dhe ishim më përpara. Musinea dallonte në të gjitha mësimet dhe vështirësitë e anglishtes i kapërceu me punë e vullnet të jashtëzakonshëm, sepse ne të gjitha mësimet i bënim në gjuhën angleze. Gjuhën shqipe na e bënte Sevasti (Kyriaz) Dako. Zonjusha Parashqevi na përsëriste gjithnjë fjalën e Gjergj Uashingtonit”, kujton Ganimet Gilani.

Ndërsa shkollën në Kamzë ish nxënësit e quajnë të përsosur, me me një pastërti shembullore. Aty nxënësjaq me emrin Musine do të mahnitej nga rrëfimi i mësuese Tefta Naçit për takimin e Naim Frashërit me mësuesen e tyre Sevasti Kyriazin. Ishte ai një legjendë, që shkonte gojë më gojë dhe që e bënte ta adhuronte atë grua, ashtu si adhuronte edhe dajkon e saj, që i këndonte Qerbelanë. Sevastia tashmë e moshuar, kishte mbaruar e para shkollën e vashave në Stamboll.

Ajo kishte dëgjuar Poetin ta porosiste: “Shko në Shqipëri, në atë vend të dashur dhe të bekuar dhe përhap rrezet e dijes, rrezet e dritës”. Musinesë i kishte bërë një përshtypje të jashtëzakonshme Sevastia trupvogël, me vështrim të butë e sy të qeshur. Gjithnjë e qetë, e përmbajtur, që përhapte rreth vetes mirësi e dritë. “Unë s’njoh tjetër shenjë madhështie veç mirësisë.

Njeriu mund të jetë i madh, vetëm kur e ka shpirtin të madh, si poeti ynë Naim Frashëri”. Sevastia nuk shpërthente kurrë, megjithse ishte në këmbë që nga mëngjesi deri në darkë. Ajo kishte hijen e një gruaje të shquar, me kulturë, që të bënte për vete dhe të detyronte të bindeshe. Sevasti Dako e filloi kështu fjalën e saj për shkollën: -Instituti KYRIAZ, që qëndron mbi këtë kodër të bukur e vazhdon në heshtje e qetësi veprën e tij dobiprurëse për hir të atdheut, derisa të mbërrijë këtu, i është dashur të bëjë një rrugë të gjatë e të vështirë.

Përfytyrojeni jetën e tij, si një vajzë e re, që iu desh ta rrahin dallgët e një deti me furtunë, që vetëm më një vullnet dhe ideal të shenjtë mund të delte faqebardhë. Dhe mendojeni, se kësaj vajze, një njeri fytyrë engjëlli me flakën e së vërtetës e dritën e dijes në dorë i tha: “Mundime e rreziqe shumë të mëdha ke për të parë, po armët e diturisë do të të nxjerrin faqebardhë, prandaj ecë përpara e mos u tremb, as mos u tut, sepse, po të përmbushësh qëllimin që ndjek, mundimet e tua do të kurorëzohen me kënaqësinë e ndërgjegjes sate!”.

Rruga ishte e shkretë, e errët nga drizat, ferrat dhe plot fole gjarpërinjsh. VAJZA u ndesh me dy egërsira, me dinakërinë dhelparake: “Unë e kam fuqinë në dorë, do të burgos, do të vras e pres që kjo e mallkuar Vajzë të mbetet pa frymë, se me ato gërma të zjarrta po më shkul rrënjët. Kurse ty, të dua për ndihmë, që të vë në veprim dhe të mbarojmë qëllimin. Ti, më ndihmo me anathema, mallkime, shkishërime e çdo mjet tjetër, që ta shpiem këtë kokëfortë në dëshpërim dhe paralizë. Po Vajza e re, duke u djersitur ditë e natë me djersë gjaku dhe zemrën e dëlirë, vijoi punën…”

Gazeta Shqip