Home

Lajme

Muhamed B. Sytari – Mesazh me rastin e Fitër Bajramit 1442/2021

No Comments Aktualitet Lajme

Muhamed B. Sytari – Mesazh me rastin e Fitër Bajramit 1442/2021
Të dashur dhe të shtrenjtë, vëllezër dhe motra besimtarë!
Ditën e enjte, më 13 maj 2021, mbarë bota islame feston Fitër Bajramin!
Një ditë gëzimi dhe lutjesh për njëri-tjetrin, momente afrimi e pajtimi, çaste reflektimi dhe altruizmi, kohë për të ndihmuar e për të shtrirë dorën e mëshirës e bujarisë ndaj kujtdo që ka nevojë e që duhet të mos e ndjejë veten të braktisur e të harruar në Shqipërisë!
Ramazani që po kalon, ishte një muaj plot begati, kur të gjithë shijuar mirësitë e bujarinë hyjnore ndaj nesh; në veten tonë, në familje, në shoqëri e kudo.
Ta ruajmë këtë frymë dhe ta mbajmë besën e Muajit Ramazan, edhe pas akshamit të kësaj dite, kur Hana e re e Muajit të Fitër Bajramit do të shfaqet horizonteve, për të lajmëruar hyrjen e atmosferës së Festës!
Ramazani i sivjetshëm iu përgjak ymetit islam, por kjo nuk e theu as e frikësoi atë, përkundrazi, e forcoi edhe më shumë në rrugëtimet e pakthyeshme dhe qëndrimet e përbashkëta kundër dhunës e terrorit, kundër shkeljes së patolerueshme të drejtave themelore të njeriut, kundër krimeve dhe urrejtjes, të cilat e kanë prishur ekuilibrin e jetës në këtë botë!
Është momenti për të kuptuar se jeta merr vlerë, kur njeriu është i aftë të jetojë në harmoni me vëllanë e tij njeri, pa urrejtje, pa prerje në besë, pa smirë, pa tamah në pronën e shenjtëritë e tjetrit, pa paragjykime e pa egoizëm të sëmurë!
Fitër Bajrami është një ditë që na fton të jetojmë me gëzimin e besimin e Zotit në tokën tonë, në vendin tonë, në shoqërinë e familjen tonë. Ta falënderojmë Krijuesin tonë për çfarë na ka dhënë dhe të përpiqemi për të ndryshuar çfarë është prishur, sepse me besimin dhe fetarizmin tonë jemi të ftuar drejt ndërtimit!
Është momenti të mendojmë e të punojmë me sa të kemi mundësi për të sotmen e fëmijëve tanë, për edukimin dhe arsimimin e tyre, për personalitetin dhe tiparet e besimit, për cilësitë dhe vlerat!
Gjatë viteve dhe dekadave të fundit, jemi befasuar nga shfaqje të frikshme të dhunës, krimit, shthurjes, korrupsionit e degradimit të individit dhe shoqërisë shqiptare, për të cilat nuk jemi razi dhe, për të cilat, elitat e shoqërisë duhet të gjejnë rrugët e bashkëpunimit për ta shpëtuar individin dhe shoqërinë nga kjo buzë greminë!
Besimi dhe vlerat e tij janë shpresa, prandaj le të kthehemi nga dyert e Zotit e të hapim zemrat para dritës së udhëzimit dhe rrezeve të tij!
Gëzoni me fëmijët e familjen tuaj, falënderojeni Allahun për mirësitë pa fund, me të cilat na begaton dhe punoni plot optimizëm për ditën që vjen, me bekime e mbarësi!
Gëzuar Fitër Bajramin!
Myftiu i juaj
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 12 maj 2021