Home

Lajme

EH, SA “KEQ” KUR MËZI I DEL PARA PELËS!

No Comments Lajme Opinion

Fadil LUSHI

           Miku dhe ti vëllai im! Sa herë që unë mëtoj të bëj shkrimin e radhës për miqtë e mi të nderuar, aq herë më ik fiqiri te një mesele e vjetër. Dikur shumë herët, disa pjesëtarë të një familje feudale ishin prekur nga tifoja e morrit dhe, mbas një kohe të gjatë që nuk ishin kuruar, ata kishin filluar të flasin jerm. I mjeruar nga kjo, kryeplaku i shtëpisë kishte ulëritur duke thënë: “O milet, m’u mbush shtëpia me budallenj a me shapshalla!” Në mungesë të njohurive të tij për këtë sëmundje ngjitëse, kryeplaku i kishte paragjykuar që në fillim si halabakë, kokëboshë, a torollakë... dhe fare pak si dertlinj që kanë nevojë për një përkujdesje paksa tjetërfare. Që këtë vaki të mos bëj “tërkuzë”, të mos e trashim a edhe të mos e shndërrojmë në lëmsh intrigash a kontradiktash, e kemi patjetër që shkrimin ta vazhdojmë me ato shpjegimet që i bëhen nocioneve PELË dhe MËZ-i. Për këto fjalë Fjalori i gjuhës sonë jep këto shpjegimet përkatëse, përkatësisht se pela është femra e kalit dhe se mëzi është pjella e pelës. Kështu, që të mos paragjykohem, do të bëj çmos që të përjashtoj çdo paralelizëm të mundshëm mes pelës, mëzit dhe njeriut. Tekefundit, as që mund të bëhet ndonjë paralelizëm, sepse pela është pelë e mëzi është mëz, mëzi nuk ka fiqir, njeriu ka arsyen, mëzi udhëhiqet nga instinkti, andaj i del para nënës së vet... dhe kjo te gjallesat e pavetëdijshme mund të justifikohet..., por ama te sui generis kjo nuk shkon ashtu thjesht, nuk pi ujë qoftë edhe moçalik. 
       Si bëhet që sot e gjithë ditën e Perëndisë, druvari (çdo respekt për të) i del para intelektualit, si bëhet që ateisti t’i mbajë klerit leksione për fenë, si bëhet kjo që hajduti i del para kryehajdutit, po si bëhet që pronari i bordellos, bashkë me laviret e tij që kanë vlerën e pesëlekëshit, t’i shpjegojë parimet e moralit një njeriu të ndershëm, si bëhet që bastorexhiu, fajdexhiu a edhe kumarxhiu të hiqen si njerëz filantropë, kinse ndihmojnë njerëzit në nevojë..., krejt në emër të Zotit, si bëhet që folk-patriotët t’u dalin para atdhetarëve kur është fjala te historia e lavdëruar e këtyre të fundit, si bëhet që atdhetarët e rremë, të bëjnë kauzën e që nuk kanë haber se ku gjenden kufijtë e vjetër të Gadishullit Ilirik, si bëhet që këta nacionalistë të rremë na shpjegojnë e na thonë se kur Serbia do ta njohë Republikën a shtetin e Kosovës, asaj do t’ia japë falas Preshevën me gjithë pjesën e Luginës, si bëhet kjo punë që, sipas këtyre që kanë mendjen me “qesim”, të thonë me plot gojën kinse së shpejti shteti helen do të heqë dorë nga Çamëria e pushtuar, si bëhet që këta kalorës të vonuar që i përngjajnë legenit me vrima të “hamamxhikut” të tyre allaturka e që ia kanë kthyer shpinën ekonomisë së familjeve të tyre, të barazojnë burrërinë a dinjitetin e hallexhinjve me mutësinë e tyre, si mund t’i lejojmë matrapazit që t’ia uzurpojë vendin e punës njeriut i cili mban kalamajtë e tij, si bëhet që edhe sot t’i trembesh kryemafiozit të mëhallës e t’i bësh temena, pikërisht ai që dikur kërcënonte hallexhinjtë me fjalët: “Do t’ua bëj mishin dyqind gram, nëse nuk do...,” e që është shndërruar në ngordhësirë..., e që s’është as për “dynja as për ahiret”!..., si bëhet që analfabeti i diplomuar pa u diktuar nga ne, të fusë hundën në arsimin shqip, si bëhet që ca politikanëve tanë nuk u ha palla hiç se si e flasin gjuhën e nënës në foltoren e organit më të lartë ligjvënës, a hiç nuk zhgënjehemi e nuk shqetësohemi kur “filan fisteku” bën habertarin e rremë..., bën opinionbërësin a edhe lajmin ekskluziv, si bëhet që të mos na shohin sytë se si zbehet familja shqiptare, si bëhet që nuk i vëmë gishtin mendjes për të parashtruar pyetjen se pse na shkon në greminë arsimi parauniversitar dhe ai universitar, a hiç fare nuk ndërgjegjësohemi se... si bëhet që të mos shohim se si rinia, po edhe fëmijët na çakërdisen nga mendtë, si bëhet që berberi im personal bën “kryepoezinë” (siç thotë një miku im), si bëhet t’i lejojmë alamet profesorit të merret me përkthimin e tekstit mësimor dedikuar nxënësve shqiptarë (ky farë herifi që, kur e bën punën kuturu, të thotë: “Hajt, mos u mërzit se nuk u bë kiameti, e përktheva sipas takatit tim, ja futa njësoj si ai berberi i lagjes sime kur ta heq mjekrën në të thatë!”), si mund të bëhet e t’i lejojmë provincialistit me çorape të bardha e të qëndisura, të na shurdhojë veshët me muzikën e tij tallava, si bëhet që ta harrojmë këngën e vjetër qytetare e të tjera, si bëhet...  
         Eh, miku im i dashur! Nëse ne që hiqemi paksa tolerantë, paksa të mençur dhe paksa të  vetëdijshëm përballë hallakamës që na ka zënë për fyti, nëse nuk do të bëjmë vrapin, “kalemxhiu” ynë i paarsimuar nuk do të ikë nga ne, nuk do të shporret nga oborri i vlerave tona. Nëse ne nuk do ta hapim gojën, “kalemxhiu” ynë analfabet nuk do ta mbyll të tijën. Nëse “kalemxhiut” tonë me diplomë universitare, nuk do t’ia prishim kotecin, ai do ta zaptoj tonin dhe do të na nxjerrë “kallëp” jashtë. Miku, nëse ti do ta heshtësh këtë rrëmujë, dhe nëse unë do ta miratoj, atëherë që të dy jemi me faj e në faj. Bëj kujdes, "..., heshtja është vjedhje, ajo di të vjedhë guximin dhe të vërtetën time e tënden, në instancë të fundit, heshtja është delikt i rëndë verbal"! Miku, nëse ky vështrim imi e ka titullin të gjymtuar, brendinë të zbehtë dhe përfundimin të paqartë, atëherë besoj se do më ndjesh për kohën tënde të humbur e të çmuar. 

P. S.
Këtu e dymijë vjet më parë, filozofi i antikës, Aristoteli, kishte thënë: “I urti mëson, dinaku ngul këmbë, budallai hesht”. Unë parapëlqeva mendimin ndryshe. Prandaj shtypa alarmin!
Pershendetje i nderuar Mik ! Uroj te keni patur nje dite te bukur sot. Te falenderoj per shkrimin