Home

Lajme

Robert Shkurti – Fabul – Ariu polar dhe dreri.

No Comments Argëtim Letersi

Në një pyll të madh, kohë më parë, kishin jetuar së bashku një ari polar dhe një dre me brirë të mëdhenj e të bukur njëkohësisht. Një herë bëri shumë dimër. Bora mbuloi të gjithë pyllin dhe më pas fryu një erë e fuqishme dhe e tërbuar, duke e shkatërruar të gjithë pyllin dhe duke e ndarë pjesë-pjesë, në ngastra më të vogla. Pemët e bukura dhe të larta u shkulën me rrënjë duke e shkretuar vendin dhe barin, i cili u tha dhe nuk mbiu më. Ariu, si më i madh dhe më i fuqishëm që ishte, mori pjesën më të madhe, ndërsa dreri i bukur mori një pjesë më të vogël. Në fakt dreri mori pjesën që i kishin lënë paraardhësit e tij, por kur pylli ishte bashkuar dhe ishte bërë i të gjithëve, askush nga kafshët e tjera nuk i kishte dhënë rëndësi pjesës që i takonte, pasi lëviznin lirisht nga njera anë në anën tjetër, pa guxuar të dalin prej tij dhe gjithnjë nën vëzhgimin e ariut të fuqishëm, pa mundur ta kundërshtojnë atë.
Kur fryu era e fuqishme, të gjitha kafshët u shpërndanë dhe secila prej tyre nxitoi të rrëmbejë pjesën e pyllit që i përkiste më parë. Secila kafshë e nisi përsëri jetën nga toka e saj dhe me llojin e fisit të saj, të çliruar tashmë nga zgjedha dhe arroganca e ariut polar.
Me ndarjen e territorit të ri dhe largimin e kafshëve të tjera nga pylli i përbashkët, ariu polar që kohë më parë kishte dalë nga ujrat e ftohta dhe ishte përshtatur në tokë, u ndje i fyer dhe për më tepër edhe më i dobët, pasi mbeti vetëm, pa ndihmën e kafshëve të tjera të cilave ua rrëmbente gjahun që ata kapnin dhe e përdorin për t’u ushqyer. Ariu u linte atyre vetëm një pjesë të vogël sa për të mbajtur frymën. Kafshët e tjera u ndjenë më të lumtura e më të kënaqura me shkatërrimin e pyllit gjigand. Kishin vuajtur dhe hequr të zitë e ullirit nën diktatin e ariut. Kishin pritur me padurim një arratisje të mundshme nga ai pyll i ftohtë, i frikshëm dhe tmerrësisht i izoluar, ku me kohë kishte filluar zhdukja e specjeve të ndryshme të cilat zhdukeshin pa lënë gjurmë kur hapnin gojën për ushqim dhe jetesë më të mirë.
Kafshët e tjera jashtë atij pylli, që jetonin në vënde të ngrohta e të bukura, pranë deteve dhe liqeneve, kishin filluar ta vinin në lojë dhe ta kërcënonin ariun e drobitur.
Ariu sa vinte e dobësohej ndërsa dreri shëndoshej e zbukurohej çdo ditë. Xhelozia po e gërryente ariun e egër dhe mundohej ta pengonte drerin në rrugën e tij, i cili kishte zënë miq e shokë të rinj nga llojet e kafshëve të tjera të cilët më parë as nuk i kishte njohur. Këta ishin të bukur, të pasur e të yshqyer mirë, por ia kishin frikën ariut dhe i qëndronin sa më larg atij. Miqtë e rinj, kur panë që dreri ishte shkëputur dhe larguar nga pylli i ariut, i bënë thirrje dhe e ftuan në shoqërinë e tyre. Ky propozim i pëlqeu drerit të bukur dhe u premtoi se do të bashkohej me ta dhe do t’u shërbente atyre.
“Do të të bëjmë si veten, por vetëm me ariun mos u bashko, që të mos jesh nën zgjedhën e tij! – e urdhëruan ata.
“Mirë! – premtoi dreri i bukur, duke u dhënë fjalën shokëve të rinj.
“Sigurisht që me ta do të jem më mirë, por kam frikë se do të egërsohet ariu dhe mund të më gjejë belaja, më pas!” – tha me vete dreri, i cili ishte i lumtur që po i largohej ariut, por thellë në shpirtin e tij të pastër ndjente frikë.
Arsyet e frikës ishin të shumta.Pasi ishte shkatërruar pylli, ariu kishte mbetur i vetëm. Po tërbohej nga inati. Një ditë e takon drerin i cili endej pyllit të shkretuar, i lirë. Ariu, drerin e kishte dashur më shumë se të tjerët dhe me një zë të drobitur e që dukej më tepër si një lutje, i thotë:
“Dëgjo, o dre bukur! Mos u largo nga unë! Mua vërtet ma shkatërruan dhe ma morën pyllin që kisha ndërtuar me mund dhe gjak dhe blerë me sakrifica dhe në të njëjtën kohë kafshët m’u larguan, por do të vijë një ditë që unë do të bëhem përsëri zot i këtij pylli, sepse unë jam kafshë e fortë dhe e madhe. Mos u gënje nga bukuria dhe pasuria e miqve dhe e shokëve të rinj, sepse ata të duan për interes dhe kur nuk do ta kanë më nevojën, menjëherë do të të braktisin! Dre i bukur, mos harro që ne vimë nga e njëjta tokë, kemi të njëjtin zot, ndaj mos u largo nga unë! Për të rindërtuar pyllin kam nevojë për ndihmën tënde. Ti je i bukur dhe punëtor!
Dreri nuk ua vari shumë fjalëve të ariut polar. Kishte pritur me padurim që të largohej sa më parë nga ariu grabitqar. Nisi një jetë të re, më të bukur dhe mbi të gjitha, ishte më i lirë se më parë. Tashmë shoqërohej me miqtë e rinj, por kur vinte rasti që shtronin dreka e darka, nuk ftohej prej tyre. Vriste mëndjen se përse ata silleshin në këtë mënyrë? Nuk arrinte ta kuptonte që ata e donin vetëm për interesin e tyre, që ta mbanin sa më larg ariun polar, që tashmë kishte filluar ta merrte veten e të bëhej i fuqishëm si më parë. Drerit iu kujtua edhe diçka tjetër. Kur u nda me ariun, ky i kishte thënë: “Dëgjo, o dre i bukur! Ti bëj si të duash me ata shokët e tu të rinj, por nuk dua të mi sjellësh pranë pyllit tim! Ata janë të zgjuar, duken të urtë, janë të bukur e të pasur, por janë të djallëzuar sidomos ai kapoja i tyre, ndaj i dua t’i kem sa më larg!
Mirëpo dreri nuk ia dëgjoi fjalën ariut polar, sigurisht i nxitur dhe i shtyrë prej tyre. Një ditë të bukur dhe me diell, ata u mblodhën të gjithë sëbashku dhe i thanë drerit që do ta pranonin në shoqërinë e tyre.
“Do të jesh me ne dhe do të jesh i ftuar në të gjitha drekat e darkat që ne do të shtrojmë. Do të jesh si ne dhe do të kesh të gjitha të drejtat që kemi ne.” Drerit i pëlqeu shumë kjo gjë. Madje nisi të fryhej e t’i rritrej mëndja.
“E di që do të egërsohet më shumë, por mua aq më bën! Kam miq e shokë kafshët e tjera, që do të më mbrojnë nëse më kërcënon ariu! Unë dua lirinë dhe ajo më pëlqen dhe është më e shtrenjtë se ç’do gjë.” – tha me vete dhe u ndie edhe njëherë më i fortë se më parë, por më pas u ligështua, sepse ariu i mori vesh të gjitha dhe i kërkoi dyluftim.
Dreri vrapoi të lajmëronte shokët e rinj, pasi e ndjeu kërcënimin e ariut të egërsuar.
“Mos e vrit mëndjen shumë! Mos ki frikë nga ariu, se na ke ne!” – iu përgjigjën ata me krekosje, madje e nxitën edhe më shumë drerin e bukur duke e bërë të besojë se vërtet ishte i fortë dhe ta pranonte dyluftimin.
Pas kësaj, ariu i bëri edhe njëherë thirrje drerit që të largohej prej tyre e të afrohej me të. Ky i funditr e kundërshtoi dhe nuk pranoi.
“Do të të ndihmojmë ne ta mundësh ariun!” – i premtuan ata dhe në të njëjtën kohë i përgatitën ringun ku do të zhvillohej dyluftimi.
Hynë në ring. Ariu i fuqishëm, i egërsuar deri në kulm nisi të nxjerrë dhëmbët e mëdhenj e të mprehtë, thonjtë e paprerë e të fortë dhe po përgatitej për t’iu vërsulur drerit të bukur, i cili për t’u mbrojtur kishte brirët e shumtë, që e shtynin të mbrohej me shpirt dhe me besimin e madh tek shokët e rinj.
“Sa të futem në ring, ata do të hynë brenda tij, do të më ndihmojnë dhe do ta ngordhin ariun!”- mendoi dreri.
Mirëpo, kur filloi dyluftimi dhe u dëgjua zhurma e tmerrshme e gongut, ariu iu vërsul menjëherë drerit duke e kapur nga brirët e shumtë, por që ishin më të forta se ç’e kishte parashikuar ariu. Dreri mbrohej dhe brirët e tij po e shponin ariun e tërbuar, i cili filloi të ndjejë dhimbjet. Ariu ndaloi një çast dhe u mbush me frymë për t’iu vërsulur përsëri.
Dreri shikonte jashtë ringut, i cili ishte i rrethuar vetëm nga miqtë e shumtë të tij. Të gjithë e përkrahnin, por nuk mund të hynin brenda ringut, pasi rregullat ishin të tilla dhe të vendosura më parë. Ariu e kishte vënë në një kënd të ringut dhe vazhdonte ta godiste fort drerin e bukur i cili mbrohej me zemrën e tij të fortë, me brirët e tij të mprehtë. Kafshët e tjera kur panë që nuk mund të hynin në ring e ta ndihmonin brenda tij, nisën t’i hedhin gurë, shkopinj, thika, e mjete nga më të ndryshme me qëllim që ai të mbrohej dhe t’i kundërvihej ariut të tmerrshëm, që dukej sikur po e linin forcat nga sulmi i menjëhershëm që kishte bërë. Dreri ndodhej në vështirësi. Mbrohej nga bisha dhe vështrimin e hidhte jashtë ringut në pritje të ndihmës nga miqtë e pabesë, të cilët e kishin futur brenda atij kuadrati të tmerrshëm, ku njeri prej tyre do të vdiste dhe tjetri do të dilte i gjallë, por i dërrmuar fizikisht.
Mars 2022.

Burimi/Facebook